Banorët e Bërxullës kanë protestuar sot sërish për të disatën herë dhe kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga e drejta e tyre për shpronësim sipas vlerës së tregut për pronat e tyre, rrugë e nënkalime që jeta e tyre të mos dëmtohet dhe rrezikohet. Një e moshuar, e cila proteston që ditën e parë, bllokoi rrugën. Për gazetarët, ajo tregoi të gjitha ilaçet që merr, duke u shprehur se po sëmuret nga shteti e jo nga Zoti.
“Unë jam protestuesja nga 1 tetori deri më sot 30 prill. kam 45 vjet që përdor këto ilaçe për një muaj. Janë për astmën, për alergjinë. Kjo është për zemrën, për tension dhe hollues gjaku. Për tiroiden, për reumatizmin dhe kjo për veshin e mesit. Këto ilaçe që përdor unë dhe karamele e çokollata t’i hash për një muaj janë të dëmshme, jo më këto ilaçe. Populli shqiptar ta marrë vesh, shteti shqiptar ta marrë vesh, i gjithë ky hall që më ka rënë më ka rënë nga shteti jo nga Zoti. Zoti më jep durimin, kurajën. Ju falënderoj ju mediat që dëgjoni zërin tim që shteti nuk e dëgjon. Unë sot një nënë 63-vjeçare të dalë në të gjitha mediat, a ka më turp e padrejtësi, për gjithë ato sakrifica që kam kaluar në jetën time.
Të më japë dëmshpërblim për banesën, të na bëjnë rrugën, të na bëjnë nënkalim. Ky shtet më hajduti në 30 vjet. Shteti shqiptar ta bëjë mend mirë. Kur të vijë te shtëpia ime ta bëjë mend mirë.”
/a.r