Dy ditë para se të shtinte 7 herë drejt Ardian Nikulajt, brenda lokalit të tij “Coral” në Lezhë, portugezi Ruben Saraiva është fiksuar duke lëvizur me motorin që u përdor në të njëjtën ngjarje për t’u larguar në rrugën nga fshati Balldre, në drejtim të Lezhës e më pas drejt Shëngjinit, teksa ka qëndruar për disa orë të pasdites duke vëzhguar dhe është kthyer sërish me po të njëjtin itinerar.
Vëzhgimi drejt “Coral” është bërë edhe një ditë më vonë, por kësaj here më gjatë, për 9 orë me radhë dhe është kthyer. Në ditën e ngjarjes, itenerari që shihet në pamjet e kamerave të sigurisë është i njëjtë, përveçse rreth orës 11:30, Ruben Saraiva ka ndaluar në një karburant për të furnizuar motorin. Ai ka komunikuar në shqip me punonjësit e karburantit duke u thënë: “Ten lekë benzinë”, ndërsa pasi ka marrë kusurin është larguar.
Vetëm 10 minuta para se të qëllonte brenda lokalit “Coral” ai është fiksuar nga kamerat në të njëjtin vend që kishte qëndruar 2 ditët e fundit pranë kompleksit “Bardh e Blu”. Ndërkohë, pamje të bollshme hetuesit kanë siguruar edhe për katër britanikët që hyjnë e dalin nëpër hotel dhe qëndrojnë në bar. Njëri prej tyre, Harry Simson, ka qëndruar gjithë ditën në lokal, duke pirë birra dhe luajtur bilardo, deri pasi është vrarë Ardian Nikulaj.
Gjatë kësaj kohe komunikimet e tij janë të vazhdueshme ne celular, ndërsa mendohet se kontakti i tij direkt ka qenë me autorin e vrasjes, Ruben Saraiva. Në pamjet e kamerave duket se ka përputhje të komunikimeve që dy burrat kryejnë në celular në të njëjtën kohë, për të njoftuar se viktima ishte brenda. Pasi Saraiva kreu detyrën që kishte marrë përsipër, Harry Simson është larguar drejt hotelit të tij dhe më pas direkt drejt Rinasit./m.j