Në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” Sali Berisha u pyet për qëndrimin ndaj Evi kokalarit. Aktivistja shqiptaro-amerikane erdhi nga SHBA-të dhe qëndroi krah kreut të Foltores gjatë procesit të Rithemelimit të PD-së, por më pas u largua e zhgënjyer, duke akuzuar vetë zotin Berisha dhe njerëzit rrotull tij se kishin bërë një proces të pandershëm dhe me fitues të paracaktuar në forumet drejtuese të Rithemelimit. Ndërsa ditët e fundit qarkulluan në rrjet foto ku ajo ishte bashkë me Erion Veliajn, për të cilat Kokalari fajësoi njerëz pranë kreut të Rithemelimit.
Z. Berisha tha se Kokalari nuk deshi që të kandidonte dhe se ai nuk mund të mbajë përgjegjësi për vendimet që marrin njerëzit e tjerë, ndërsa edhe çështjen e fotove e quajti punë të të tjerëve.
Biseda në studio
Dyrnjaja: Doktor disa që ishin me ju, iu kanë braktisur. Evi Kokalari p.sh. flet kundër jush. Si e shpjegoni këtë?
Berisha: Evi Kokalari nuk dëshiroi që të kandidonte.
Dyrnjaja: I ofruat ju që të kandidonte?
Berisha: Absolutisht po. Për aq sa kontribuoi. Unë nuk jam përgjegjës për vendimet që marrin njerëzit e tjerë. Po të më shohësh mua si zyrtar, unë kam vetëm një thelb: zbatimin e ligjit, zbatimin e statutit.
Dyrnjaja: Ju keni bërë kompromosi me Partinë Komuniste.
Berisha: Në qoftë se shkelmon statutin, nesër në pushtet nuk zbaton ligjet.
Sejamini: Në rastin e Evi Kokalarit mund të mos bie dakord, por falsifikime me montazhe dëmtojnë të gjitha palët.
Rakipi: Mund të mos e duash Kokalarin, por falsifikime me montazhe është turp i madh.
Berisha: Nëse merremi me çfarë kanë bërë të tjerë, nuk qëndron ajo.
Sejamini: Nuk e thashë për ju, Doktor. PD-ja duhet të jetë më tolerante, në përgjithësi. Është në të mirën e vetë PD-së që të jetë sa më miqësore, sa më qytetare edhe me ata që nuk janë dakord.
/a.r