Që nga viti 2015 kur u zgjodh në krye të bashkisë së Tiranës e deri më sot, Erion Veliaj thotë se janë bërë transformime të jashtëzakonshme në infrastrukturën e kryeqytetit.
Duke e ilustruar me hartë, në Tv Klan, Veliaj shpjegoi disa ndërhyrje që janë kryer prej vitesh në akse rrugore dhe jo vetëm.
Puna fillimisht thotë ai ka nisur me Bulevardin e Ri dhe lumin e Lanës, duke theksuar se “shtylla kurrizore” e Tiranës është dyfishuar.
“Ka disa ndërhyrje në Tiranë. Ndërhyrja e parë që ka ndodhur ka qenë me lumin dhe me bulevardin. Pjesa e “Bulevardit të Ri”, është një kredi e Bashkisë së Tiranës, me Fondin e Abu D’habit. Sot kemi “Bulevardin e Ri” dhe sot kemi gjithë pjesën e Lumit të Tiranës.
Pjesa e Lumit të Tiranës ka mbaruar totalisht, 100%. Pjesa ikonike që është sheshi fundor i “Bulevardit të Ri”, është një tjetër projekt.
Po flasim për një lumë i cili deri dje, për ne mund të jetë gallatë, kurse për ata që jetonin tek Njësia 4, 9, 8 dhe 11, përmbytja vinte deri tek “Siri Kodra” lumi se nuk shkarkonte. Sot kemi një situatë te Lumi i Tiranës, totalisht të transformuar. Ndërkohë ka mbaruar pjesa e Unazës së Madhe dhe ju kujtohet lufta e Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë tek pjesa e Astirit. Ndërkohë ajo që shikoni, për lehtësi, këtu shikoni sesi ka mbaruar zgjatimi i Lanës, pra shtylla kurrizore e qytetit është dyfishuar.
Një qytet i cili mbaronte te Brryli dhe te Pallati me shigjeta, këtu sapo kemi marrë financimin që zgjatimi i Lanës të shkojë deri në Kashar. Ky ishte projekti që Ilir Meta, që sot është një nga përfaqësuesit e koalicionit e bllokoi. Po ju flas për presidentin që refuzonte të miratonte kredinë, sepse që të marrësh një kredi nga BERZH-i, të duhet plotfuqishmëria dhe sot njerëzit që kanë bllokuar sistematikisht Tiranën tek ky Astiri që sot është hapur, te kjo Lana, sot janë alternativa”, deklaroi Veliaj.
/a.r