Në 14 Maj, edhe nëse mjeti identifikues të ka skaduar ose mund të të skadojë deri ditën e zgjedhjeve, do të kesh të drejtën të votosh. Njoftimin e bëri ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.
Pasi shteti të marrë në dorë prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit, ministri Çuçi garantoi se do të rishikohen edhe çmimet.
“Eshtë një marrëdhënie kontraktore me kompaninë e cila mbaron në fund të Korrikut të këtij viti. Dhe ne si qeveri, do përfundojmë kontratën dhe do të marrim në dorëzim të gjithë kompaninë e prodhimit të kartave. Pastaj, vendosja e çmimit, sigurisht, mbasi ne ta marrim në administrim këtë kompani, çështja e çmimit është një çështje që vendoset. Dhe jemi shumë më fleksibël për t’i vendosur dhe për t’i ndryshuar çmimet se sa më përpara, kur fiksohej me një kontratë të caktuar që miratohej me ligj, dhe do duhej që përveçse të negociojë me kompaninë, do të duhej të ndryshoje edhe ligjin. Kështu që jemi shumë fleksibël, dhe kjo jo domosdoshmërisht lidhet me ndryshimin e ligjit. Pa diskutim për dokumentet e identitetit do të shohim hapësirat tona për t’ia lehtësuar në maksimum shtetasve.”
Vendimi për t’i lejuar qytetarët të votojnë me mjet identifikues të skaduar, Çuçi tha se erdhi pas një konsultimi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për shkak të numrit të lartë të tyre.
/s.f