Zonja Boçari, pati njerëz që u dhembi shpulla e policit mbi ju, pati edhe nga ata që thanë se fyet policin, pasi i hoqët kapelën. Jeni ndeshur me të gjitha reagimet?
Jam ndeshur dhe kam dalë në konkluzionin që çdo njeri ka të drejtë të mendojë sipas mendjes së tij. Unë e bëra sepse u gjenda në atë moment ku nuk punon më arsyeja. Isha para dhunës. Aty plasi dhuna dhe ku ka dhunë nuk gjykon dot. Po shikoja njerëz që po rriheshin, pa arsye, nuk kishte shkak, ishim një masë paqësore, madje unë e kisha mbushur çantën me mandarina dhe po u jepja mandarina njerëzve. Kishim dalë thjesht për të sensibilizuar për një gjë që e quajmë të pavend, të jashtëligjshme dhe dhunë shtetërore që po bëhet në Parkun e Liqenit. Kur shkuam aty dhe u ndeshëm me forcat policore, pyetja e parë që bëmë dhe u befasuam ishte, çfarë do policia këtu? Ne nuk kishim shkuar për diçka të paligjshme.
Policia po mbronte Parkun.
Çfarë parku mbronin? Aty ishte parku i sakatuar, i bërë me kanale, me pemë të prera.
Pse shkuat ju atë ditë?
Ne shkuam të mbronim parkun që ishte dhunuar.
Me kë ishit ju? Mimoza Boçari që protestonte se po preknin mushkërinë e Tiranës apo një grup njerëzish i organizuar?
Ne ishim një grup shoqërie civile.
Ju jetoni në Gjermani që prej vitit 1991, jeni qytetare gjermane. Çfarë ju lidh ju me parkun?
Megjithëse kam ikur 25 vite më parë, unë jam shqiptare dhe rrënjët i kam këtu. Jam me ndjenja atdhetarie jo shumë normale, por ja që i kam.
Çfarë nuk të jep Gjermania që vetëm Tirana e ka?
Nuk më jep Shqipërinë, jam e lumtur mjafton që të marr erën e vendit, erën e luleve. Emigrimi është një nevojë, por këtu janë rrënjët e mia, këtu jam rritur.
Ju jetoni Në Gjermani, punoi keni edhe tre fëmijë aty. Por gjendeni në momentet kyçe kur protestohet në Shqipëri. 21 janari është një nga momentet më kyçe të protestës civile në Shqipëri dhe ju ishit aty, pranë kokës së Hekuran Deda.
Unë u ktheva në Shqipëri, pasi babi im ishte shumë i sëmurë, për t’i bërë shërbimin e fundit dhe u punësova këtu. U bë demonstrata dhe shkova, për mua është shumë normale që të shkosh në demonstratë.
Ishte demonstratë e PS.
Për mua nuk ka rëndësi, nuk e ndaj popullin në socialistë apo demokratë, për mua është një gunë që veshin njerëzit, ne jemi shqiptarë. Kjo ndarja në parti është një përçarje, një ndarje që i është bërë popullit për të realizuar disa qëllime të errëta të mendjeve të errëta. Unë u futa mes protestuesve, më shqetësoi situata, kam pak veti Kasandre. Isha edhe para Kryeministrisë, kur u tërhoq policia dhe që thoshin se qeveria u dorëzua. E ndieja se kishte diçka që nuk shkonte, u thosha djemve të zbrisnin. Madje, aty ishte edhe dikush me bombë në dorë të cilit ia hoqa, pra kishte shumë trazira atë ditë. Pasi u hodhën shashkat me tym, me digjte fyti dhe shkova të merrja një pije, kur në atë moment dëgjova që u qëllua dhe pashë atë djalin që u rrëzua.
E dëgjuat Berishën që ju mori në mbrojtje sot? Çfarë përshtypje ju bën?
Erdhi guri im në dorë. Luajti gurin tim Berisha. Donte ta përdorte kundër PS dhe më nxori mua, por ai di shumë mirë gjithë historinë time. Ai më përjashtoi në ’91 nga PD, për ide radikale. U bë një mbledhje intelektualësh te Pallati i Kulturës dhe unë dhashë mendimin tim. I thashë që ai nuk mund ta drejtojë Partinë Demokratike sepse nuk ishte demokrat, asnjë nga ne nuk dinte se çfarë ishte demokracia, aq më tepër Berisha që ishte Sekretar Partie. Ne njiheshim sepse punonim në një spital, por në atë mbledhje më tha që isha e përjashtuar nga partia për ide radikale.
Ju në këtë kohë keni njohur edhe Ramën?
Këta janë lojtarë, njerëz karrieristë që fatkeqësisht prodhohen me shumicë në këtë vend, qoftë që nga Enver Hoxha që veshi gunën e komunizmit, qoftë Berisha që veshi gunën e demokracisë apo Rama atë të socialistit. Faktet tregojnë se janë të gjithë karrierista që po i bëjnë të zezën këtij populli dhe kjo është një fatkeqësi.
Kush është dallimi mes jush dhe njerëzve të tjerë që nuk protestojnë?
Unë nuk jam militante e asnjë partie. Nocioni parti është një nocion që i ka dalë boja, e ka kryer punën e vet. Ka një ideologji të vetme botërore sot, që është kapitalizmi dhe vetëm kaq. Ne shqiptarët luajmë akoma për vende pune, për tu bërë dikush për karrierë. Kemi fatkeqësi si komb, nuk është vetëm komunizmi, duhet të jetë edhe pak gjenetike, sepse komunizmi ka 25 vjet që ka mbaruar dhe ne ende se kemi nxjerrë lepurin nga barku. Ndoshta jemi popull me lepur në bark.
Ju keni qenë kur u bënë zgjedhjet. Kë votuat?
Gjergj Bojaxhiun.
Keni qenë në grupin që mbështeste Gjergj Bojaxhiun?
Ne jemi një grup qytetarësh që mendojnë ndryshe dhe duam të veprojnë ndryshe. Nuk kemi qëllime karrieriste. Ne kemi konceptin tonë të zhvillimit, quheshim “Ne Tirana”, tani quhemi “Ne Shqipëria”. Gjergj Bojaxhiu ishte i përzgjedhuri jonë për kandidat në Bashkinë e Tiranës. Ne nuk jemi tashmë me Gjergj Bojaxhiun, jemi distancuar sepse nuk u bashkuam në idetë e qëllimet tona. Tani nuk e mbështesim më Gjergjin.
Historia juaj është plot protesta, përfshirje, jeni gjithandej. Çfarë ju thonë fëmijët?
Je e çmendur, më thonë. Por unë kjo jam dhe më vjen keq që të tjerët janë ndryshe sepse nuk shoh asnjë gjë të keqe të jesh kështu si unë. Në fund të fundit të gjithë njerëzit që ulen nëpër kafene thonë të njëjtat gjëra si unë. Unë nuk jam më e mençur se ata, unë thjesht kam një kurajo civile për të thënë të vërtetën sepse e vërteta është ajo që duhet të udhëheqë botën, ashtu si edhe e drejta, ligji. Njeriu është një qenie sociale që duhet të jetojë në shoqëri dhe në qoftë se unë nuk respektoj këto ligje, atëherë nuk ka shoqëri të shëndetshme. Padrejtësia është shkatërrimi i çdo gjëje.
Besoj se ju kanë denoncuar apo jo?
Po.
Ju nuk lëvizni dot tani për në Gjermani për shkak të denoncimit apo jo?
Nuk e di sesi janë ligjet, por nuk më tremb denoncimi.
Juve e keni denoncuar policin që ju qëlloi? A e dini që ai është pezulluar?
Unë dua të padis të gjithë policinë, jo vetëm këtë person. Ai polic si njeri është treguar brutal, por si polic ai nuk bëri asgjë tjetër veçse urdhrin. Unë jam për atë person që dha urdhrin që aty të mblidheshin një turmë e madhe policie. Përse?! Unë nuk gjej akoma një arsye përse, për çfarë? Për të mbrojtur ato shkopinjtë?! Ajo është toka jonë, është e Bashkisë, por përse policia duhej të bëhej mur, të armatosur, me shkop gome? Polici që më qëlloi, bëri një akt të dhunshëm që unë personalisht do ta kujtoj gjithë jetën si një turp që më është bërë. Por turpin nuk e bëra unë, e bëri ai. Ai njeri është gjynah të jetë në radhët e policisë, por është edhe gjynah të pezullohet sepse nuk ishte i vetmi që bëri atë gjest, të gjithë policët erdhën me urdhër për të qëlluar popullin. Pra, përgjegjësi i kësaj pune nuk është policia, por ai që dha urdhrin. Pse të mos vinte Erion Veliaj, por policia? Ky person që është zgjedhur Kryetar Bashkie harron që u zgjodh me votat tona, tani është bërë si një qenie që ka ardhur nga kozmosi për të na bërë ligjin. Flet nga Londra e thotë, është plan gjerman. Po shqiptarët ku janë? Unë nuk kam parë vend në bote ku bota të mblidhet në një qytet me emrat e rrugëve, lokaleve etj.
Ne kemi bërë një gabim të tmerrshëm, por edhe gabim nuk mund të quhet se kur të gënjen tjetri, kur sillet ndryshe, nuk quhet tamam gabim. Tani ai njeri nuk ulet një herë të bisedojë me qytetarët.
Do ju shohim në politikë së shpejti apo vetëm në protesta?
Unë do të luftoj kudo ka padrejtësi. Unë nuk dua të vdesim si popull, ky vend është kaq i bukur. A nuk është gjynah të vijnë këtu muxhahedinët? Unë jam krenare që jam shqiptare dhe fëmijët e mi atje ku i kam janë shqiptarë. Duhet të ngrihemi sepse kemi akoma forca. Fakti që ne mblidhemi në tavolina e ankohemi, jemi koshientë dhe e shohim padrejtësinë, na mungon vetëm ai hapi i parë për t’u ngritur kundër kësaj padrejtësie. Është kaq e thjesht. Unë të votova ty për të më përfaqësuar, ti më gënjeve, tani nuk je më i zgjedhuri im. Një njeri që të gënjen duhet rrëzuar. Çfarë i bën fëmijës tënd në qoftë se të gënjen? I fut shuplakën apo jo? Fëmijës tënd, gjakut tënd i fut shuplakën ndërsa këtij zuzarit që i ke dhënë votën tënde, që merr rrogën nga taksat e tua, të vjedh, të shkatërron dhe i thua amen.
Po sikur ta dëgjoni çfarë projekti ka, çfarë ka për të thënë rreth projektit sepse problemi nuk është vetëm që nuk protestojmë, por as nuk komunikojmë.
Nuk kam asgjë kundër. Ne këtë kërkojmë, që Erion Veliaj të vijë e të na sqarojë, por Erion Veliaj foli nga Londra dhe na tha që është projekt gjerman, ata janë të PD-së. Po si jemi të PD-së more? Si u ndaka populli në PD e PS? Ne jemi shqiptarë, ne jemi popull ndërsa PD dhe PS janë bindje politike, edhe pse ne nuk kemi fare bindje politike se nuk e dimë ç’është politika. Ne themi jemi demokraci, por ne nuk e kemi idenë e demokracisë. Ne nuk kemi demokraci në një tavolinë e jo më gjerë.
Njerëzit, a ju thonë ç’pate, po te parku pse shkove?
Po. Kritika është cilësia më e madhe që ka shqiptari, shqiptari gjithmonë kritikon, thotë ti e bëre gabim, ama sesi është e mira nuk e di. Pra, rëndësi për shqiptarin ka të kritikojë, por kur vjen puna për të bërë diçka, ata janë të paktë.
Atëherë si është e mira të bëhet parku? Nuk duhet bërë kështu siç thotë Veliaj, por si duhet bërë sipas jush?
Në qoftë se kërkoni mendimin tim personalisht, unë mendoj që parku i liqenit është një park natyror shumëvjeçar, ai është i bukur e duhet kujdesur. Me sa kam biseduar me shoqërinë time, ka shumë mangësi dhe është i kërcënuar nga vdekja sepse janë bërë shumë kanale e gjëra të tjera që i pengojnë bretkosat të shkojnë në liqen të shumohen dhe duke mos u shumuar bretkosat do dalin minjtë e gjëra të tjera. Domethënë, ky park që është, le të qëndrojë ashtu siç është sepse aty do shkojë pleqëria, aty është kujtimi jonë, është kemi kaluar rininë. Unë nuk jam kundër fëmijëve, jam nënë e tre fëmijëve, jam kirurge fëmijësh që kam shpëtuar qindra mijëra jetë fëmijësh, por fëmija nuk jeton vetëm tek liqeni, fëmija jeton në të gjithë qytetin. Duhen ndërtuar parqe kudo në qytet. Kur do të bëhen këto ndryshime?/dritare.net/