Një gazetar që punonte me gazetën italiane La Repubblica u vra nga goditja me snajper në jug të Ukrainës dhe një koleg italian u plagos, tha gazeta sot.
“Korrespondenti ynë Corrado Zunino dhe bashkëpunëtori i tij Bogdan Bitik u zunë në pritë nga snajperët rusë sot në periferi të Kherson, në jug të Ukrainës. Fatkeqësisht, Bogdan Bitik nuk mbijetoi: ai la pas gruan dhe një djalë. Corrado i plagosur në shpatull po trajtohet në Kherson”, thuhet në njoftimin e gazetës.
Dy gazetarët, të cilët mbulonin luftën që nga fillimi i pushtimit rus, kishin veshur jelek antiplumb me shënimin “Press”.
Ata ishin pranë urës kryesore të Khersonit kur u sulmuan.
“Ne u goditëm. E pashë Bogdanin në tokë, ai nuk lëvizte. Unë u përpoqa ta telefonoja, ai nuk po përgjigjej. Pastaj u ngrita në këmbë për të dalë nga vija e zjarrit dhe vrapova derisa pashë një makinë civile. Më rridhte gjak, më çuan në spital”, tha gazetari italian.
Sipas gazetës, trupi i gazetarit ukrainas nuk është gjetur ende, për shkak të pranisë së snajperëve në zonë.
Ministri i Jashtëm Antonio Tajani tha se ambasada italiane në Kiev do të organizojë kthimin e Corrado Zunino në Itali.
/s.f