Opozita,që në protesta udhëhiqet nga Vetëvendosje ka kërkuar ndihmë në ushqime për manifestuesit e saj në Prishtinë, transmeton Koha,net. Këtë kërkesë e ka bërë Vetëvendosje, në faqen e vet zyrtare të Facebookut. Ajo, përmes një shkrimi në rrjetin social, ka bërë një lutje – apel te qytetarët e Kosovës që të ofrojnë e dhurojnë ushqime për protestuesit që janë vendosur në sheshin “Skënderbeu” e “Ibrahim Rugova”, tek institucionet kryesore të vendit në Prishtinë në kundërshtim të moszbatimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, të asaj me Serbinë për formimin e Asociacionit të Komunave serbe në vend si dhe të zgjedhjes së Hashim Thaçit president të Kosovës.
Mes të tjerave shkruhej: “Në shesh janë mbledhur mijëra qytetarë, të cilët do të rrinë aty disa ditë me radhë. Për të gjithë këta njerëz do të organizohet furnizimi me ushqim, tre herë në ditë. Ushqimet do të dhurohen nga qytetarët e nga bizneset e vogla, dhe për këtë arsye, i bëjmë thirrje të gjithë simpatizantëve e mbështetësve që mund të na ndihmojnë, të kontribuojnë me ushqime”.