Rreth 7 milionë euro energji elektrike, që shpenzohet nga serbët në pjesën veriore të Kosovës, po u faturohet qytetarëve të tjerë që paguajnë me rregull faturat e energjisë elektrike. Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka aprovuar kërkesën e KEDS-it që energjia elektrike që shpenzohet në veri të trajtohet si humbje komerciale, e cila më pas në mënyrë proporcionale u ndahet të gjithë klientëve të kësaj kompanie private. Gazeta “Zëri” ka mësuar se nga totali i energjisë, 5,3 për qind shpërndahet në veri të Kosovës. Në KEDS nuk e kanë mohuar direkt që humbjet e shkaktuara në veri të Kosovës po ua faturojnë konsumatorëve të tjerë.