Nga Frrok Çupi
Kur them ‘zgjedhjet’, nuk flas vetëm për zgjedhjet e 14 Majit 2023. Këto shkuan e shkuan. Por po them se të gjitha zgjedhjet që pritet të vijnë në jetën e shtetit shqiptar rrezikohen nga fenomeni ‘Glover’.
Nga nismëtare për shpëtimin e zgjedhjeve në vendin tonë, dy ditë pasi mbërriti në Tiranë në mes të këtij prilli 2023, zonja Glover u kthye për vete në ‘rrezik’. Në konferencën e parë që mbajti për publikun, zonjën Andrey Glover, kryesuese e misionit të OSBE-ODIHR, e pyetën nëse do ta ‘takonte Sali Berishën’.
Ajo tha ‘po’ dhe në fakt e bëri ‘po’. Fjalë për fjalë, zonja Glover tha se do të ‘takojë çdo palë që është pjesë e zgjedhjeve’. Këtu nisi tronditja dhe përfundimisht u shfaq si ‘tërmet mbi kalanë e zgjedhjeve’ në 17 prill kur zonja Glover i shkoi Berishës në zyrën e okupuar prej tij.
Rëndesa e ngjarjes nuk peshon mbi ‘okupimin e selisë’, të paktën e krahasuar edhe me paralele të tilla në botën jo- demokratike si në Lindjen e Mesme ku organizata militantësh islamistë okupojnë territore, megjithatë ligjërisht marrin pjesë në zgjedhje.
Jo, edhe sikur ‘naziskinët’ të jenë të regjistruar me ligj në zgjedhje, zonja Glover mund t’i takojë e të bashkëpunojë.
Zonja Glover në Tiranë goditi ligjin, që është zemra e zgjedhjeve. Berisha nuk është subjekt në zgjedhje.
Ligji i zgjedhjeve përcakton fjalë për fjalë se ‘për tu regjistruar si subjekt zgjedhor për çdo lloj zgjedhjeje, një parti politike duhet të paraqesë vërtetimin që është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë’. Sali Berisha nuk ka vërtetim, as regjistrim në gjykatë, as ndonjë parti.
Berisha mund të ishte edhe i dënuar për krime kundër njerëzimit, por ‘i regjistruar në gjykatë si parti’, atëherë po!, zonja Glover do të thoshte se ka mbajtur ligjin më këmbë. Ndryshe e ka shkelur me këmbë.
Sali Berisha nuk është ‘parti’, as ka vërtetim, as është i regjistruar në gjykatë, as është ‘palë’, as është ‘pjesë e zgjedhjeve’, as i regjistruar në Komisionin Qendror të zgjedhjeve.
Të gjithë elementët e tjerë që vendosen në ligj, poshtë ‘regjistrimit në zgjedhje’, bëhen të pa dukshme dhe të pa vlerë:
Kujt i hyn në punë se cili është emri, mbiemri apo adresa e kryetarit të partisë? Asgjë prej këtyre nuk ka vlerë, përderisa ‘pala’ nuk ka regjistrim në gjykatë dhe në Komisionin e Zgjedhjeve.
Kujt i vlejnë ‘shkronjat nistore dhe emri zyrtar’, përderisa në Gjykatë dhe në Komision nuk ka një regjistrim.
Në mediat e vendit dhe në të folmen e përditshme ka hyrë fjalori ‘partia e Berishës’, ‘koalicioni Berisha- Meta’, ‘kryetari i PD, Berisha’. Fjalori bën vend si pika e ujit pas aktit të zonjës Glover dhe rrënon të vërtetën ligjore. Në zgjedhjet që vijnë mund të hyjnë individë e grupime që nuk kanë lidhje me Kushtetutën, as me atdheun dhe interesat e tij, as me demokracinë, as me dobinë qytetare.
Në piramidën e shtetit, pas kësaj, do të hyjnë elementë anti- shtet; në mes do të hyjë pushteti ‘klandestin’; njerëzit votojnë atë që fshihet nën maskë. ..
Ranë zgjedhjet me këtë rast.
Kujt i vlen ‘specimenti i vulës’, i përcaktuar kështu në ligj? Berisha nuk ka as vulë, as të drejtën ligjore për të pasur një vulë subjekti. Tufat e njerëzve që e ndjekin, ky i ka damkosur si ‘PD’, por i ka futur nën një ombrellë ‘anti- PD’, që quhet Partia e Lirisë.
Kush i përplas njerëzit kështu si numra e si qenie pa vlerë?
Diskriminimi po kryhet edhe nën sytë e OSBE/ ODIHR. Liria e individit bazohet dhe mbrohet me ligj; në këtë rast ligji nuk ekziston për ‘numrat- njerëz’ të Berishës. Çdo person në Republikën e Shqipërisë ka të drejtën, të paktën të informohet ‘ku po më çon?’, ‘ku po më degdis?’, ‘çfarë bëhet me mua?’, ‘kush më merr peng?’ .
Berisha i merr njerëzit e PD si të verbër dhe i çon në në PL; shkaka dhe tragjizëm. Është rrënuar e drejta për të votuar lirisht e në dritë të diellit, për të votuar atë që ti vetë mendon dhe jo atë që të imponon dikush; PD-istët e djathtë detyrohen të votojnë fshehurazi ‘Floririn’ e majtë. Zgjedhjet shkuan.
Gjithë piramida e zgjedhjeve ka rënë, pasi është ‘legjitimuar’ një masë njerëzish votuesish të pa regjistruar ligjërisht.
A do të mund të rindërtohet më legjitimiteti i zgjedhjeve në vend?
Në vitin 1996, zonja Andrey Glover në krye të Misionit të vëzhguesve të ODIHR, shpëtoi zgjedhjet parlamentare të 26 Majit.
Ajo i dha alarmin botës qytetare se një regjim post- komunist, i kryesuar nga Sali Berisha, ka shkatërruar zgjedhjet.
Sot Berisha është i dizajnuar si ‘minues i demokracisë’. Shkatërrimi i atyre zgjedhjeve e çoi Berishën deri në krizën sa të ngrejë luftën civile në vend.