Avokati Idajet Beqri ishte i ftuar në studion e Dritare TV për të folur mbi çështjen e Gërdecit dhe seancës gjyqësore ndaj Fatmir Mediut.
Lidhur me shtyrjen e seancës gjyqësore ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes për në datën 9 maj, Beqiri u shpreh se SPAK është duke e zvarritur këtë proces dhe Mediu po gjykohet me një akuzë absurde.
“Sot ishte seanca gjyqësore për ish-ministrin e Mbrojtjes, sipas vlerësimit tim është akuzë që ka absurd të madh brenda vetes, sepse po bëhet sa për sy e faqe. Është një gjykim thjesht politik për të hedhur hi syve familjarëve të viktimave. Në rastin konkret Mediu si Ministër Mbrojtje atëherë, me këtë akuzë që i është ngritur dhe me këtë akuzë që po gjykohet është si kokë turku, sepse nuk është kjo akuza e duhur. Jo vetëm ndaj Mediut, por ndaj gjithë organizatës kriminale.
SPAK edhe me këtë zvarritje të madhe që po i bën këtij procesi dhe nëse Mediu do shkojë me këtë akuzë që e ka çuar Prokuroria, e kanë çuar sa për të thënën që ‘ne e bëmë punën tonë’, në një kohë që Prokuroria e di që shpërdorimi i detyrës nëse kalojnë 10 vjet nga dita që është kryer vepra penale, nuk mund ta marrë me përgjegjësi penale një person të tillë sepse e thotë ligji. Dhe parashkrimi është një institucion i rëndësishëm në kodin penal. Kështu që pse u la që të parashkruhej kjo vepër?
E dyta pse çohet vetëm Mediu në këtë drejtim. SPAK ka prova të rëndësishme që nuk ka nevojë të bëhen më hetime, kur duke filluar që nga kryeministri atëherë Sali Berisha, djali i tij që u bë organizatori kryesor i kësaj vepre penale Shkëlzen Berisha, zv Ministri Drejtësisë që formësoi bazën ligjore, Ministri Drejtësisë i kohës atëherë Bumçi dhe Ministri i Mbrojtjes Mediu dhe persona të tjerë, u bënë ndihmës në kryerjen e këtij krimi”, u shpreh avokati Beqiri.
Beqiri u shpreh se ky është një krim i rëndë shtetëror dhe si i tillë është shumë i vështirë për t’ u goditur, pasi në mënyrë të tërthortë ata që e organizuan dhe kryen këtë krim janë në pushtet, qoftë të opozitës, por edhe të parasë.
“Gërdeci edhe pse është një krim i rëndë shtetëror me pasoja të jashtëzakonshme, që tregoi se çfarë janë në gjendje të bëjnë të korruptuarit dhe që këtë korrupsion e shtrinë deri në atë pikë sa të vrasin njerëz për të mbushur xhepat e tyre. Është njolla më e rëndë dhe e turpshme në historinë e shtetit shqiptar.
Jo vetëm gjatë këtyre 32 viteve, por gjithë historisë së këtij shteti. Nuk ka ndodhur asnjëherë që një krim të tillë ta kryej shteti, me përmasa të tilla vetëm nën moton që do nxjerrim para dhe do pasurohemi qoftë edhe me gjak shqiptarësh.
Në këtë drejtim, Gërdeci jo vetëm nuk po merr drejtimin e duhur dhe nuk po vë në bandën e të akuzuarve, organizatën e vërtetë kriminale që e bëri dhe organizoi këtë krim. Që i ndau rolet që në fillim, kur u pa se sa do të ishte fitimi prej kësaj afere. Pasi bënë studimin që prej kësaj afere mund të fitoheshin 150 milion euro atëhere kjo organizatë kriminale ishte e bindur që do dilnin dhe pengesa gjatë rrugës dhe ata këto pengesa do t’i eliminonin po me rrugë kriminale.
Dhe duke qenë krim shtetëror është shumë e vështirë për t’ i goditur, sepse elementët që e organizuan dhe finalizuan këtë krim ishin dje në pushtet dhe sot janë sërish në mënyrë indirtekte në pushtet. Qoftë në pushtetin e opozitës por mbi të gjitha në pushtetin e parasë”, u shpreh Beqiri./m.j