Një 25-vjeçar nga Kavaja është arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për pjesëmarrje në plagosje. Sipas policisë, i arrestuari i identifikuar me iniciale R. D, në bashkëpunim me një tjetër kanë plagosur me armë zjarri një shqiptar në Parma të Italisë në vitin 2022.
Pas arrestimit do të nisin procedurat për ekstradimin drejt shtetit fqinj, aty ku do të përballet me akuzat e drejtësisë italiane.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Parma”, i zhvilluar nga Fast Albania, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, Interpol Tiranën dhe Interpol Romën. Kapet në Kavajë, një 25-vjeçar i kërkuar nga autoritetet italiane, i akuzuar si bashkautor i një plagosjeje të rëndë me armë zjarri, të kryer në Itali, më 3 mars të vitit 2022.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Fast Albania, në bashkëpunim me homologët, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën informative, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar nga autoritetet italiane, për krime kundër personit, është organizuar dhe finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Parma”.
Në kuadër të këtij operacioni, Fast Albania, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, ka kapur në Kavajë dhe ka arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasin R. D., 25 vjeç, banues në Kavajë.
25-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Parmas i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë.
Më datë 03.03.2022, në Salsomaggiore Terme, Parma, shtetasi R. D., në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka plagosur rëndë, me armë zjarri pistoletë, shtetasin shqiptar L. V. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Italisë/m.j