Dy humbjet e fundit të Anderlecht në kampionatin belg të futbollit kanë zyrtarizuar sezonin më të keq të skuadrës ku shkëlqeu ish-futbollisti i kombëtares sonë, Besnik Hasi.
Klubi historik përfundoi kampionatin në vendin e 11 dhe nuk është kualifikuar për asnjë nga “play off”-et që luhen në Belgjikë për kompeticionet evropiane.
Me vetëm 13 fitore në 34 ndeshje, ky ishte Anderlechti më i dobët që nga viti 1937. Pas atij viti të errët, klubi nga Brukseli fitoi 34 tituj kampion (rekord në Belgjikë) dhe një Kupë UEFA.
Të dielën, tifozët protestuan kundër klubit pas humbjes ndaj Mechelen. Pasi hapën banderolat kundër pronarëve të klubit, drejtuesve dhe lojtarëve, tifozët u larguan nga stadiumi.
Me Anderlecht, Besnik Hasi ka qenë për 6 sezone lojtar (2000-2006), duke fituar 3 tituj kampion dhe një Superkupë Belgjike. Si trajner, ai e drejtoi këtë ekip për dy vite e gjysmë (2014-2016).
/a.r