Gjatë dy viteve të fundit ka patur një rritje të theksuar të shtetasve të huaj të cilët aplikuan për leje qëndrimi në Shqipëri.
Vendin e parë e zë Italia duke vijuar më pas me Kosovën, por nuk mungojnë as emigrantët e largët nga India që kanë zgjedhur Shqipërinë si vendin e tyre për të jetuar.
MANJOLA XHIKU / SHEFE SEKTORI PER TE HUAJT
Gjatë vitit 2022 në Shqipëri kanë aplikuar 10.142 shtetas të huaj për leje qëndrimi për motive të ndryshme. Për tremujorin e parë të 2023 ky numër ka qënë 2745 aplikime. Vendin e parë e zënë shtetasit italianë, kosovarë, turq, egjiptianë dhe indianë. Këto zënë 5 vendet e para të aplikimeve në Shqipëri.
Zyrtarja e Policisë së Shtetit shprehet se pjesa më e madhe e aplikimeve janë për punësim. Kjo duhet se ka shtyrë dhe shtetasit nga Bangladeshi që të jetojnë në Shqipëri. Ndwrsa profilet e punës janë të ndryshme si shërbime, bujqësia, ndërtimi etj.
60% e aplikimeve e mbulojnë ato aplikime për motiv punësimi. Kryesisht këta janë shtetas italianë, turq, egjiptianë, indianë si dhe nga Bangladeshi kanë filluar kohët e fundit. Shtetasit që vijnë nga vendet e BE, Amerikës, apo nga rajoni thjesht regjistrohen dhe më pas trajtohen si shtetasit shqiptarë në drejtim të punësimit. Ndërsa pjesa tjetër e vendeve kanë nevojë për një miratim punësimi. Ne tashmë lëshojmë lejen unike, që është një leje e vetme punësimi dhe qëndrimi. Profili i tyre i punës është shërbime, ndërtim, së fundmi ka patur edhe për bujqësi, shërbime në familje etj.
Pas 7 vitesh qëndrimi në Shqipëri, këta shtetas nëse plotësojnë kriteret mund të përfitojnë shtetësine.
Për të përfituar shtetësinë shqiptare, një shtetas i huaj duhet që të ketë qëndruar pa shkëputje 7 vite në vendin tonë dhe të ketë përfituar leje të përhershme qëndrimi. Që në përfitimin e lejes së përhershme të qëndrimit duhet që të ketë një ambient banimi të standardeve të këtushme, të ketë të ardhura të mjaftueshme, të jetë integruar mire. Për më teper për shtetësinë të ketë njohuri mbi historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Kryesisht aplikantët që kanë ardhur në Shqipëri janë mosha të reja aktive për punë, por nuk kanë munguar as ata persona që kanë këkruar bashkim familjar pasi kanë gjetur banesë dhe punë në vendin tone.
/a.r