Kryeministri Edi Rama ishte këtë të diel në Elbasan në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 14 Majit. Kreu i qeverisë ka zbuluar nga aty edhe këngëtarin e këngës së fushatës së PS-së, Petrit Vullkanin. Me këtë rast i ktheu përgjigje edhe komenteve të opozitës për këtë këngë.
“Pata një surprizë të bukur. Nuk e dija që Tit Vullani është nga Elbasani. Është hera e parë që e takoj. Je i madh dhe realisht për mua ka qenë kënaqësi të dëgjoja këngën e cila ishte një surprizë e bërë nga miq për këtë moment dhe ka qenë një bezdi e madhe të dëgjoj ata që na u vunë mbrapa se medemek po promovojmë tallavanë. Ata tallavasë i marrin të keqen. Të thuash ti se rrinë e dëgjojnë gjithë ditën Mozartin edhe iu vriten veshët nga tallavaja epo thotë njeriu e kanë edhe këta një arsye. Këto dëgjojnë gjithë ditën çfarë del nga zorra qorre dhe pastaj na u bezdiskan nga ritmi i një kënge dhe fjalët e një kënge që janë shumë më tepër se një tallava”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se me një pjesë të parave të fushatës synohet që t’u lihet qyteteve pemë dhe jo “pisllëk i posterave që i merr era rrugëve”.