E teksa veriu i Kosovës voton sot për zgjedhjen e kryetarëve në 4 komuna, pas tërheqjes së Listës Serbe nga Institucionet, një protestë është mbajtur mbrëmë në Serbi.
Mbështetësit e katër partive të krahut të djathtë protestuan në Novi Sad ku kërkuan anulimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas Radios Europa e Lirë, tubimi, në të cilin morën pjesë disa qindra qytetarë, u thirr nga Partia e Re Demokratike, Dveri, Zavetnici dhe Lëvizja për Ringjalljen e Mbretërisë së Serbisë.
Protestuesit bënë thirrje për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në të gjitha nivelet.
Ata mbanin flamuj të Serbisë dhe flamuj tradicionalë të Vojvodinës, ndërsa u panë edhe disa flamuj rusë.
Më 18 mars në Ohër, udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.
/a.r