Rikthimi i radhës i Benjamin Netanyahu në krye të qeverisë së Izraelit, duket se do të mbahet mend dhe për protestat e mëdha që prej javësh tashmë kanë pushtuar vendin, në një lëvizjes të paparashikuar qytetarësh të indinjuar.
Më shumë se 110 mijë persona dolën edhe njëherë në rrugët e Tel Avivit dhe Jeruzalemit mbrëmjen e së shtunës për të kundërshtuar reformën në drejtësi të propozuar nga qeveria.
Protestuesit bllokuan sheshet kryesore, teksa shumë prej tyre u grumbulluan dhe pranë zyrës së Netanyahu, por pa shkaktuar asnjë incident.
Kritikët thonë se reforma në sistemin e drejtësisë do të minojë demokracinë. Por qeveria e kryeministrit Benjamin Netanjahu, pretendon se ndryshimet janë në të mirë të qytetarëve. Për opozitën, kjo është kriza më e madhe në historinë e Izraelit.
Synimi i reformës është që t’i japë qeverisë një ndikim vendimtar mbi zgjedhjen e gjyqtarëve dhe të kufizojnë aftësinë e Gjykatës së Lartë për të vendosur kundër ekzekutivit ose për të rrëzuar legjislacionin.
Ndërkohë, Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka kërkua qeverisë izraelite të pezullojë reformën e shpallur në drejtësi, pasi ajo mund të dobësojë në mënyrë drastike të drejtat e njeriut në vend.
/a.r