Armando Prenga, deputeti i përjashtuar nga PS dhe i rikthyer në veprimtaritë parlamentare ditën e djeshme, është kthyer në fokusin e akuzave të Partisë Demokratike, si shembulli që vjen në kundërshtim të plotë me dekriminalizimin e politikës.
Pas vendimit të gjykatës së lartë për detyrim paraqitje dhe ardhjes së tij gjatë punimeve në komisionin parlamentar të sigurisë ku dhe është anëtar, PD ka hedhur akuza drejt tij dhe PS-së, se po risjellin një kriminel në politikë.
Por në një sqarim për Top Channel, vetë deputeti thotë se ai nuk është më pjesë e PS-së dhe se nuk ka pse të identifikohet me të. Për më tepër shton Prenga, ai nuk është përmendur kurrë më parë nga vetë opozita për probleme me ligjin. Deputeti lezhës jep dhe çertifikatën e tij të sigurisë, e cila është dhe garancia, që sipas tij tregon se ai ka kaluar në disa filtra kontrolli.
Në kundërpërgjigje të akuzave të PD-së Prenga thotë:
“Është lajthitje e opozitës që kërkon që unë të mos bëj detyrën time si deputet. Në një kohë që Xhelal Mziu, kryetar Ii Bashkisë së Kamzës ushtron detyrën e tij, pavarësisht se ka një vendim gjykate që e ka dënuar atë. Për mua ende nuk ka një vendim gjykate. Çështja është në proces dhe duhet të presim vendimin e Gjykatës. Por kjo që po bën opozita, është njësoj sikur një kryetar partie të mazhorancës të kërkojë bllokimin e punës në të gjitha bashkitë e vendit se Xhelal Mziu është ende në detyrë edhe pse ka një vendim gjykate për të”