Për Arben Hajdarmatajn dy janë pistat kryesore sa i përket vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, një ditë më parë në Shëngjin. I ftuar këtë të enjte në studion e Klan News, për gazetarin Besard Jacaj, ish-drejtuesi i policisë tha se kryesorja duhet të jetë pista e gjakmarrjes, por ai theksoi se nuk duhet të shmangur as sfondi politik.
Mbetet pjesa e gjakmarrjes një prej pistave, duke qenë se në 1996 atij i kanë vrarë dhe vëllain, Pëllumb Nikulaj?
Arben Hajdarmataj: Un mendoj që dy pistat janë, pista e gjakmarrjes mendoj që mund të jetë dhe kryesorja, mendoj, sepse nuk kam informacion që të them. Por unë prap apeloj në aspektin e asaj që grupi hetimor nuk duhet të shmangë dhe pjesën politike.
Pra ishim tek dy pista, e para gjakmarrja…
Arben Hajdarmataj: Unë mendoj që pjesa kryesore është gjakmarrja, dhe pjesa tjetër mund të jetë sfondi politik, i cili nuk duhet të anashkalohet dhe nuk duhet të nënvlerësohet nga grupi hetimor. Pavarësisht se nëse ekzistojnë për mendimin tim, këto informacione të sakta, që policia duhet t’i dijë, sepse ne si publik i marrim nëpërmjet mediave dhe media i merr nëpërmjet korrespondentëve të vet në zona, janë të besueshme, por mbeten për t’u verifikuar. Pra nëse Nikulaj ka marrë para 2-3 javësh deri 1 muaji, ka lëvizur me një makinë të blinduar, nëse ka pasur konflikte verbale me grupe të ndryshme, këtu defekti i Policisë së Shtetit që unë shpeshherë gjendem në një pozicion jo të mirë ndaj ish-kolegëve, sepse duhet jemi sa është e mundur realistë, që këto informacione duhet të kalkuloheshin nga policia e Lezhës. Thashë që i ndjeri Nikulaj ka qenë një person jo me ndikime të pakta në të gjithë aspektin, politik dhe shoqëror, në qytetin e Shëngjinit. Në momentin që një njeri i tillë detyrohet që të marrë një mjet të blinduar atëherë këtu diçka ka. Sepse nuk është as shumë e vështirë për ta identifikuar dhe për ta gjetur arsyen sepse. Se në qytetin e Shëngjinit…
Janë zona jo shumë të mëdha, aq njerëz e njohin njëri-tjetrin…
Arben Hajdarmataj: Në momentin që, nëse ka marrë një makinë të blinduar, të gjithë qytetarët e Shëngjinit e kanë ditur që e ka marrë një makinë të blinduar. Nëse Nikulaj ka pasur një konflikt verbal me ndonjë grup. Nëse politika thotë të vërtetën, që realisht ky ka përkrahur forcën e djathtë politike dhe kundërshtarët e tij, krahu i majtë politik kanë pasur konflikte verbale për shkak të pozicionit të tij politik, atëherë këtu policia duhet të kishte marrë masa dhe vesh. Në këtë aspekt unë e bëj me faj deri diku politikë e shtetit, përsa i përket parandalimit të mundshëm të këtij lloj krimi.
/s.f