Në kremtim të muajit të Shenjtë të Ramazanit dhe ne respekt të traditës shumëvjeçare, Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama shtruan një darkë iftari në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.
Kjo ishte dalja e parë e kryeministrit Rama, pas ndërhyrjes kirurgjikale në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, për heqjen e appendisitit. Kreu i qeverisë në daljen e parë publike u shfaq në krah të ambasadores amerikane Yuri Kim.
Në vend të tij, fjalën përshëndetëse e mbajti bashkëshortja, Linda Rama.
‘E vërtetë, jo çdo e keqe vjen vetëm për keq! Edhe apendisiti i Edit mund të them që nuk paska ardhur vetëm për keq pasi, falë ndërhyrjes për heqjen e tij, në vend që sonte të dëgjoni një fjalë të gjatë nga Edi do të dëgjoni një përshëndetje të shkurtër nga unë. Ju uroj mirëseardhjen në këtë sofër tradicionale iftari në të cilën muslimanë, të krishterë, besimtarë ose jo, ndajnë bukën në përulje dhe respekt të një rituali të gjithëpranuar që kremton njeriun, jetën, sakrificat e shpërblimet e saj.’- tha Linda Rama.