Daut Gumeni ishte i ftuar në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila. Gumeni foli gjatë për kohën e komunizmit, duke e ndërthurur me kohën e sotme. Ndërsa fliste për Partinë Demokratike, Gumeni shprehet se kjo parti duhet të kishte vdekur më kohë.
PD, thotë Gumeni, nuk ka qenë kurrë demokratike, edhe atëherë kur u krijua.
“PD-ja nuk ka qenë kurrë demokratike, që kur u krijua. PD-ja është një organizëm politik i lindur në ato dyert e veshura me dyshekë që të mos dëgjohet zëri.
Për mua është një gjë që duhet të kishte vdekur me kohë, ka zgjatur shumë sepse e ka edhe emrin e vjedhur, edhe flamurin e vjedhur.
Morën flamurin blu te klubit të Ministrisë së Brendshme të Dinamos, për ta bërë si flamurin e PD-së. PD-ja duhet të kishte ikur me kohë.
Bile ai që i thonë themeluesi dhe udhëheqësi historik i PD-së, ai në histori mund të hyjë si misionari i Komitetit Qendror të Ramiz Alisë, po jo i demokracisë.
Berisha ishte besnik jo vetëm ndaj Ramiz Alisë, por edhe Enver Hoxhës. Ishte shumë besnik ndaj mënyrës se qeverisjes së Enver Hoxhës”, u shpreh Gumeni në DritareTv.
Sipas Gumenit, në Shqipëri nuk ka të djathtë, por vetëm dy të majta.
“E djathta në Shqipëri nuk ekziston. Ne kemi dy të majta, kjo është fatkeqësi.
Shqipëria është e majtë e gjitha. Por fatkeqësia jonë është që është një e majtë e sëmurë.
Ne kemi një të majtë staliniste që ka vajtur në varrezat e të djathtës, prandaj kanë gjetur një kryetar si Berisha që bërtet edhe në biseda të zakonshme, se kanë vajtur në tokë të xanun ata, kanë vajtur në varrezat e të tjerëve, do bërtasë që të marrin veshë që i djathtë ai.
Ndërsa këta që kanë ndenjur në gorricën e tyre, le të ketë gorrica jo vetëm miza dheu, po edhe gjarpërinj e hardhuca, ata nuk ankohen se e dinë, ata janë mësuar me ato insekte dhe ata malukatë”, u shpreh poeti i njohur.
21 vitet e mia në burgun e Burrelit dhe Spaçit
Daut Gumeni tregoi vitet më të vështira të jetës së tij, burgun. Burgu i ndërpreu poetit dashurinë e parë të jetës, por ishte letërsia ajo që e ndihmoi ta përballojë burgun. Në rrëfimin e tij, Gumeni tregoi 21 vitet që kaloi në burgun e Burrelit dhe të Spaçit.
“Ëndrrat nuk më janë ndarë sepse për mua gjysma e jetës është ëndërr. Por varët çfarë ëndrrash që ke. Si dashuria ime e parë, që e ndërpreva pasi hyra në burg. Më vjen mirë që e desha aq shumë sa nuk ia thashë dot, se e pashe që nuk kisha të ardhme as vetë.
Ishte letërsia, ajo që më ndihmoi ta përballoj burgun. Të parët që më ndihmuan ishin ata që më dhanë jetën. Nëna ime mbahej me nam në krahinë për të qarë me ligjërime. Kur qante ime më dridheshin malet.
Nga hekurat nuk u përlot një herë. Unë isha në burgun e Burrelit 20 vjet. Ata që kishin pushtetin atëherë thoshin që do të dërgoj në Burrel që mos shohësh as diell, as shi, as borë dhe të drejtë kishin.
Burreli qe tmerr se nuk ngopeshe as me ajër. Binte gripi sivjet dhe ikte pas 10 vjetësh. Qarkullonte nëpër dhoma, se s’kishte ku vente. Edhe gripi nuk dilte dot jashtë, jo më ne.
Pushtetarët e tranzicionit tonë të përmbaruar u vjen turp ta përdorin Burrelin dhe s’e marr vesh pse. Ata thonë Spaçi tmerr. Po ta përmendin një herë Burrelin. Unë kam qenë në galerinë e të përndjekurve dhe mbi te përndjekurve në Spaç, 3/50 ka qenë.
Atje ne i thoshim vagonit anije sepse vinte uji deri në gju. Dhe shkonin ata që ishin më të parehabilitueshmit. Kam qenë vetëm një vit ne Spaç, 20 vjet në Burrel”, tregoi ai.
/a.r