Rrjeti amerikan televiziv Fox ka rënë dakord t’i paguajë 787 milionë dollarë firmës që menaxhonte makineritë elektronike të votimit “Dominion Voting Systems” në lidhje me pretendimet e rreme për zgjedhjet presidenciale 2020, ku Donald Trump humbi përballë Joe Biden garën për Shtëpinë e Bardhë.
Gjykatësi i padisë së ngritur nga kompania “Dominion Voting Systems” kundër Fox News” për shpifje, njoftoi se palët kanë arritur një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes jashtë gjykatës, menjëherë pas kësaj u njoftua dhe shpërbërja e jurisë, pasi gjyqi ishte gati që të fillonte.
Me këtë marrëveshje të arritur Fox tregoi se u përpoq të tërhiqte shikues duke përhapur pretendime të rreme për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Sipas Zërit të Amerikës, një avokat i kompanisë Dominion tha se “Fox News” kishte rënë dakord të paguante shumën prej 787.5 milionë dollarësh, marrëveshje kjo që duhet të marrë dhe miratimin e gjyqtarit.
“E vërteta ka rëndësi. Gënjeshtrat kanë pasoja”, tha avokati i firmës Dominion, Justin Nelson .
Kompania “Dominion Voting Systems”, e cila prodhon pajisje elektronike për numërimin automatik të votave, ngriti një padi për shpifje kundër rrjetit televiziv “Fox News” në vitin 2021, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 1.6 miliardë dollarësh. Firma Dominion e akuzoi televizionin “Fox News” se kishte pretenduar në mënyrë të rreme se kompania e makinave të votimit kishte manipuluar zgjedhjet e vitit 2020.
Kompania Dominion e akuzoi rrjetin “Fox News” për dëmtim të reputacionit të saj, përmes transmetimit të pretendimeve të pabaza për pajisjet e votimit, pretendime që e dinte se ishin të rreme, duke thënë se makinat e votimit ndryshuan rezultatin e zgjedhjeve në favor të demokratit Joe Biden dhe shkaktuan humbjen e republikanit Donald Trump.
/a.r