Në janar 2023, Fiks Fare denoncoi veprimet e kryeprokurorit të Beratit, i cili akuzonte një qytetar për plagosje me armë, kur në dosje s’kishte asnjë provë, dëshmi apo filmime për përdorimin e armëve të zjarrit.
Nëpërmjet intervistave, dokumenteve dhe kamerave të fshehta, emisioni investigativ faktoi se prokuroria po e mbante “peng” këtë qytetar. Neritan Tafa deklaroi se e gjitha kjo bëhet pasi prokurori Dritan Gripshi i kërkoi para’. Disa javë pas këtij denoncimi, Prokurori vijoi me të njëjta veprime, duke e dërguar çështjen në gjykatë dhe akuzuar Tafën për plagosje dhe fshehje provash. Por, Gjykata e Beratit shqyrtoi provat e dosjes dhe vendosi të shpallë të pafajshëm qytetarin Neritan Tafa. Në vendimin e zbardhur, gjykata thotë se “s’ka asnjë provë për armë zjarri, dëshmi, akt ekspertimi apo filmim”. Pra, ato që konstatoi edhe Fiks Fare në datën 23 janar.
Gjykata: S’kishte armë, dëmtimet me shkop golfi!
Në investigimin e Fiksit u faktua mjaft qartë se në ngjarjen e vitit 2021 s’ishte përdorur armë, teksa qytetari kishte qendruar 40 ditë me masën e arrestit shtëpiak dhe prej 12 muajsh ishte me masën arrest shtëpie. Hetimet janë ndjekur nga Oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë së Beratit, Erind Çela, i cili shkruan në dokumente se “s’është përdorur armë”. Madje, sugjeron edhe pushimin e kësaj çështje. Edhe në një bisedë me të afërmit e autorit, ky OPGJ pranon se “s’kishte armë”.
Megjithatë, edhe pas transmetimit të kësaj problematike, prokurori i Beratit vijoi me të njëjtin qendrim, pasi e dërgoi çështjen në gjykatë me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës. “Vijoi të mbajë të njëjtin qendrim, me akuzoi për gjëra që s’i kam bërë. Shkroi të njëjta gjëra, që nuk ndodheshin në dosje. Mendoj se e bëri pasi unë nuk iu binda, se ne emigrantët na shohin nga duart e xhepat” tha qytetari. Ai pohon se, ka besim vetëm te Fiksi dhe shpreson për një vendim të mirë të gjykatës së Beratit.
Fiksi ndoqi seancat gjyqësore në Berat, teksa pas 3 seancash, gjyqtarja e Beratit, Klejda Meçi, vendosi të shpallë të pafajshëm Neritan Tafën. “Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Neritan Tafa, për kryerjen e veprës penale mbajtje pa leje e armëve, e armëve shpërthyese dhe municionit. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Neritan Tafa për kryerjen e veprës penale ‘veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’. Shuarjen e masës së sigurimit arrest në shtëpi caktuar ndaj të pandehurit Neritan Tafa, të vendosur më 18 shkurt 2022” tha gjyqtarja.
Ndërkohë, në vendimin e zbardhur, gjyqtarja shkruan se; “Në procesin penal, prokurori ka barrën e provës, çka do të thotë se nuk mjafton thjeshtë përmendja e faktit objekt akuze apo përmendja e pasojës së ardhur, por kërkohet dhënia e elementëve të tilla provuese. Gjykata vlerëson se s’ka asnjë provë, e cila mund të shërbejë dhe ti krijojë bindjen gjykatës se i pandehuri ka konsumuar veprat penale. I pandehuri ka dorëzuar shkopin e golfit që ai ka pretenduar se mbante në dorë ditën e ngjarjes”.
Më tej shtohet se në të gjithë aktet e ekspertimit rezulton se nuk përjashtohet mundësia që plaga e shtetasit Erjon Furxhiu të jetë shkaktuar nga ky mjet. “Referuar akteve të ekspertimit, nuk janë gjetur në pantallonat e viktimës Erjon Furxhiu elemente të cilat provojnë mbajtjen e nitriteve dhe nitrative, karakteristikë e faktorëve plotësues të qitjes me armë. Është bërë kqyrja e pamjeve filmike, ku duket një person me një shkop metalik në dorë”, thuhet në vendim. Pra, s’ka pasur armë. Gjykata e Beratit ka dalë me të njëjtin konkluzion që doli edhe Fiks Fare disa muaj më parë!
“Më morën ‘peng’, falenderoj Fiksin për pafajësinë”
Pas dhënies së vendimit, gazetarët e Fiks Fare biseduan me të pandehurin para Gjykatës së Beratit. “Më në fund, pas 40 ditëve të qëndrimit në burg dhe 1 viti me arrest shtëpie, Gjykata e Beratit më nxori të pafajshëm. Drejtësia u vu në vend, pasi për shkak të prokurorit, mua mu shkatërrua jeta. Unë do të vijoj me kërkesat e tjera dhe besoj se edhe prokurori do e çojë në Apel” thotë Neritani. Më tej, pohoi se e gjitha është bërë për shkak të kërkesave të njerëzve të prokurorit, që i kanë shkuar dhe i kërkuan në mënyra të ndryshme ryshfet.
“I qëndroj bindjeve të mia se gjithçka ishte e planifikuar. Ne emigrantët na shohin nga xhepat. Nëse rasti s’do ishte denoncuar në Fiks Fare unë do isha në burg. Ngjarja nuk do ishte zbardhur. Falenderoj Fiks Fare, jeni staf i mrekullueshëm. Zgjidhni problemet e qytetarëve. Pa mbështetjen e Fiksit unë s’do ishte këtu ku jam sot, i lirë”, përfundoi qytetari Neritan Tafa.
/s.f