Gazetari dhe analisti Mero Baze e cilësoi fushatën elektorale të PD zyrtare si një ditë të mirë për demokratët. Në një intervistë për Abc News, duke komentuar tërheqjen e disa kandidatëve të Alibeajt nga gara, gazetari u shpreh se një faktor ka qenë presioni i Sali Berishës por edhe efekti i tij brenda PD.
“Është një ditë e mirë për PD, e cila është një adresë për të gjithë demokratët që nuk duan t’i nënshtrohen berishizmit por të kenë një alternativë të tyre siç ka qenë identiteti i PD si një parti pro perëndimore. Një ngjarje e rëndësishme që u arrit të krijohej sfondi një fushatë elektorale me figura të reja“, tha Baze.
Baze komentoi gjithashtu edhe faktin që aleatët opozitarë, të cilët nuk e mbështesin Foltoren por kanë treguar mbështetje ndaj kandidatëve të saj. Sipas tij, këta aleatë po mbajnë gjallë berishizmin dhe se nuk kanë fuqi që të shkëputen nga ai apo të krijojnë një gjë të re në vend.
“Këta që bëjnë sikur nuk janë me Berishën por nuk i pengojnë kandidatët e tij mbajnë gjallë berishizmin dhe krijojnë një kuadër mbijetese për të dhe më të dëmshme sesa vetë njerëzit që mund të jetë gjysmë idealistë dhe gjysmë të paqartë që shkojnë tek partia e Berishës. Kështu që këta duhen konsideruar njësoj si ata që mbështesin Berishën ndoshta edhe më keq në aspektin e oporitarizmit“, tha Baze.