Nuk është parashikuar të ndërtohet asnjë kafe, në Parkun e Lodrave që do të nisë Bashkia e Tiranës në Liqenin Artificial të kryeqyteti. Drejtori i Urbanistikës në Bashki, Joni Baboci, shpjegoi për Dritare me Rudina Xhungën , cfarë parashikon projekti i keqkuptuar:
“Ky do të jetë një Park Lodrash me fonde publike, pa kosto për qytetarët , pa asnjë element privat, pa kafe dhe restorante dhe pa bileta për të hyrë. Edhe sikur kafja të bënte sens nuk ka për t’u ndërtuar. Asnjë kafe. Nuk ekziston Grand Caffe. Nuk ka as Grand Caffe nuk ka asnjë Grand Restorant, nuk ka as biletë për t’u futur në park. Projekti kap vlerën e 74 milionë lekëve të reja. I gjithë investimi bëhet për lodra dhe për të rregulluar këtë hapësirë prej 4000 metrash, për ta përshtatur me atë që ne kemi menduar. Përfshihen tavolina pingpongu, kolovajza, rëshkitëse, hapësira për t’u kacavirur fëmijët, përfshihet një hapsirë që ka katër kosha basketbolli, ka edhe një hapësirë ku mund të luhet me skatebord dhe patina, që është e vetmja hapësirë që ka sipërfaqe beton. Asnjë pjesë tjetër nuk është beton, por ashkla dhe rërë. Nuk do të priten pemë, vetëm tre të tilla do të zhvendosen. Dy pemë që janë prerë, janë prerë me procesverbal, me katër firma nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. Bashkia deri tani ka mbjellë 6000 pemë në Tiranë dhe ka në plan të mbjellë të tjera, jo të presë”- e ka mbyllur sqarimin e tij, Baboci, i cili këmbënguli në vazhdimin e projektit dhe në informimin e publikut për rëndësinë e tij.