Dy persona të identifikuar si Sindi Syzo dhe Marjo Xhangolli janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të përplasjes me makinë dhe kërcënimit të një 39-vjeçarit Eris Çekani. Rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, ata dëmtuan me sende të forta automjetin pasi e përplasin qëllimisht. Dy autorët njihen si persona problematik në Pogradec.
“Nga veprimet e shpejta hetimore, janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim 2 autorët e dyshuar, shtetasit M. Xh., 30 vjeç dhe S. S., 28 vjeç, të banues në Pogradec, të cilët dyshohet se për motive të dobëta, kanë përplasur qëllimisht, me automjetin tip “Hummer” me të cilin qarkullonin, automjetin e shtetasit E. Ç., 39 vjeç, banues në Pogradec”, njofton policia.
Pas ngjarjes, 2 autorët e dyshuar janë larguar me shpejtësi, nga vendngjarja. Gjatë largimit, për shkak të shpejtësisë, automjeti tip “Hummer” është përplasur me një automjet tjetër, me pasojë vetëm dëme materiale. Të rinjtë nuk kanë ndaluar as aty, por kanë braktisur automjetin dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia thotë se vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen e këtyre shtetasve përpara përgjegjësisë penale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.
/s.f