Mirela Karabina, drejtoreshë e komunikimit për fushatën e kandidatit të PD-së për bashkinë e Tiranës u përplasën në mendime në Euronews Albania me Ilirjana Kuçanën, anëtare të këshillit kombëtar të PD-së.
Ndërsa Kuçana tha se kandidatët e dalë nga primaret nuk duhet të merren me politikën e madhe, por duhet t’iu drejtohen qytetarëve, pikërisht demokratëve që i zgjodhën, Karabina tha se nuk ka arsye që t’i gënjejnë më demokratët sepse tashmë janë të ndarë.
“Zoti Bejko betejën e ka për Tiranën dhe patjetër duhet të qartësohet dhe ky raport sepse e kemi detyrim ndaj demokratëve. Ilirjana e thotë me dashamirësi, por ndërkohë ne jemi të ndarë tashmë sepse çdo votë që do shkojë për kandidatin me siglën e Partisë Socialiste për Integrim, sigurisht është një votë që i merret Partisë Demokratike. Kjo tashmë është e qartë dhe nuk ka më lojë fjalësh dhe keqinformim të demokratëve.
Demokratët duhet ta dinë nga sot se çdo votë që do të jetë për kandidatin që garon me siglën e Partisë Socialiste për Integrim nuk është për demokratët dhe është në dëm të demokratëve,” – u shpreh Karabina./m.j