Kosova hyn në javën e fundit të përgatitjeve për zgjedhjet e pjesshme lokale të 23 prillit.
Në një takim që pati të dielën në mbrëmje, me kandidatët e Vetëvendosjes për 4 komunat në veri të vendit, kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, shprehu besimin se ky proces do të jetë i qetë dhe pa incidente.
“Kurti si kryeministër ndau besimin e tij që ky proces zgjedhor do të kalojë ashtu siç duhet dhe i ka hije një procesi demokratik, qetë e pa incidente, me pjesëmarrje të lirë e të lartë të qytetarëve në komunat veriore”, njoftoi Lëvizja Vetëvendosje.
Kurti, i shoqëruar edhe nga ministri Sveçla, takoi Erden Atiqin, që sërish kandidon për veriun e Mitrovicës, Flatron Hasanin që kandidon për Zubin Potokun, Fetah Pecin që kandidon për Zveçan dhe Lulzim Hetemin që kandidon për Leposaviq.
/a.r