Zhdukja misterioze e dy 46 vjeçarëve në Sarandë, ka rikthyer sërish frikën e ndezjes së konflikteve kriminale mes grupeve në qytetin bregdetar në jug të vendit.
Droga dyshohet se është shkaku i zhdukjeve të fundit, por edhe i disa ngjarjeve të njëpasnjëshme misterioze që po e kthejnë Sarandën në një qytet problematik.
Afërsia kufitare me Igumenicën apo me Korfuzin, e bëjnë Sarandën epiqendër të trafikut të marijuanës dhe të tregtisë së kokainës.
Edhe heroina në dukje një drogë e nivelit të tretë, është jo pak e gjendur në Sarandë, madje një numër i madh përdoruesish janë të regjistruar si të tillë.
Veç vdekjeve, droga duket se është edhe pas zhdukjeve të mistershme madje dhe vrasjeve.
Leonard Thodhori, 46 vjeç, i njohur si “Koçole”, banues në fshatin Çukë të Sarandës dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, me origjinë nga Fieri, por banues në Sarandë, për policinë lokale nuk qëndronin larg mjedisit të narkotikëve.
Ata rezultojnë të skeduar për këto çështje dhe një ndër pistat e zhdukjes që ndoshta më shumë përforcohet me kalimin e ditëve, është dhe ajo e rrëmbimit.
Një automjet i parkuar keq anës rruge, sende personale të lëna në të, telefona të fikur e një duzinë precedentësh penalë mbi supe. Disa të shoqëruar në komisariat, mes tyre persona me precedentë penalë lidhje të të zhdukurve e disa kamera sigurie të këqyrura, janë ndër veprimet hetimore të kryera që ende s’po japin rezultat e po shtojnë misterin.
Por a është zhdukja e fundit një rast i izoluar?
Jo, Saranda po numëron shumë ngjarje me prapavijë të dyshuar, drogën.
* Në 8 janar të vitit 2010 nga brigjet e Borshit u nis një skaf i ngarkuar sipas informacioneve me rreth 1 ton drogë, i cili drejtohej nga greku Panajotis Papadhatos, 34-vjeç, nga Zakyntho dhe shoqërues ishte 45-vjeçari nga fshati Çukë i Sarandës, Latif Balo.
Skafi bashkë me drogën dhe dy personat u zhdukën. Fill pas ngjarjes, nisën kërkimet nga Shqipëria dhe Greqia për të gjetur trupat e tyre, por pa rezultat. Vetëm në nëntor 2010, në brigjet e Korfuzit del trupi i grekut Papadhatos, pa kokë, ndërsa Latif Balo rezulton ende i zhdukur.
* Pasditen e 17 qershorit 2015, një “BMW” X5 futet mes njerëzve në shëtitoren e Sarandës. Ridvan Lamaj po pinte një kafe, kur nga njerëzit e automjetit ftohet për t’u futur brenda. Nga ky moment, familja e 37-vjeçarit Lamaj, baba i dy fëmijëve, nuk di më asgjë për të.
Lamaj u rrëmbye nga ata që më pas policia i identifikoi si Adrian Ogiçi e Vitor Islami, por vetë 37-vjecari rezulton prej 8 vitesh i zhdukur. Shkak ishin dyshimet e Ogiçit dhe Islamit se Ridvan Lamaj kishte porositur persona të maskuar që t’u grabisnin lëndën narkotike në kufi.
* Në 9 maj 2016 në Igumenicë, iu pre koka 26 vjeçarit Bledar Terpollari, i cili sipas informacioneve frekuentonte edhe zonën e Konispolit në Sarandë. Shkak ishte prishja e pazareve të drogës. Koka e viktimës nuk u gjet kurrë.
* Në 24 shtator 2016 në fshatin Shëndelli, u ekzekutua Aleksandër Bardhi 47 vjeç. Policia identifikoi tre autorët e dyshuar të cilët u dënuan nga Gjykata edhe pse njëri rezulton ende në kërkim. Shkak ishte bërë tentativa e autorëve për të vjedhur një parcelë me “cannabis sativa” e në tentativë qëlluan me armë Bardhin. Njëri prej autorëve kishte precedentë për trafik droge ndërsa i kërkuari u kap më pas në Greqi po për drogë.
* Prej 9 tetorit 2016 rezulton i zhdukur 30 vjeçari nga Ksamili, Leonidha Bilero. Familjarët e tij atëherë ngritën dyshime se djali mund të jetë përdorur për trafik të lëndëve narkotike.
* Fatjon Doda nga fshati Shëndëlli, sot 24 vjeç, rezulton i zhdukur prej 14 dhjetor 2021. Motra e tij e denoncoi të humbur në janar 2022. Një ndër pistat e hetuara është ajo e përfshirjes së të riut në trafikun tokësor ose detar të drogës drejt Greqisë dhe ndonjë arrestim i mundshëm i tij nga pala greke ose zhdukje në rrethana të paqarta.
E ndërsa te zhdukurit po kërkohen, në Igumenicë policia greke prej fillimit të këtij viti ka sekuestruar mbi 375 kg marijuanë te kapur në 7 tentativa trafiku që dyshohet se si pikënisje kishin Sarandën./bw