Vladislav Ammosov thotë se ka kaluar më shumë se 15 vjet duke ndërtuar një karrierë në ushtrinë ruse dhe në shërbimin e inteligjencës të vendit, të njohur si GRU. Ai, aktualisht, është në Kiev i përgatitur për të luftuar kundër vendit të tij.
Ai i tha Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë – i cili ka shqyrtuar dokumentacionin në lidhje me historinë e shërbimit ushtarak rus të Ammosovit – se “vendi ndaj të cilit u betova për besnikëri… nuk ekziston më”.
Gjatë një udhëtimi për në qendër të Kievit, Ammosov ndaloi t’i shikonte pajisjet ushtarake ruse.
“Këta persona as nuk e dinë pse po vdesin, ndihem i lehtësuar se ata nuk patën mundësi të arrijnë këtu kurrë. Më vjen mirë që ne po i bëjmë ballë në një qytet të lirë, por në të njëjtën kohë më vjen keq për këta burra. Nëse Rusia do të kishte qenë vend normal, ata do të kishin pasur mundësi të jetonin jetën e tyre”.
Ammosov ishte një nga të paktët rusë të përgatitur për të luftuar në anën e Kievit në shkurt të vitit 2022, kur presidenti rus, Vladimir Putin, filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
“Telefonova Ambasadën e Ukrainës dhe u përpoqa të kontaktoja legjionin e Rusisë së Lirë”, tha ai, duke iu referuar një strukture ushtarake brenda forcave të armatosura të Ukrainës, në të cilën dezertorët rusë dhe vullnetarët rusë e bjellorusë shërbejnë për të luftuar kundër ushtrisë ruse.
“Por, ishte e kotë. Unë gati hoqa dorë”.
Por, në nëntor 2022 në Poloni u formua një organizatë emigrantësh rusë, Këshilli Qytetar, e cila rekrutonte vullnetarë për të luftuar për Ukrainën. Në veçanti, grupi rekruton qytetarë rusë që nuk janë rusë etnikë, duke përfshirë tatarët, bashkirët, çeçenët dhe të tjerë. Ammosov është një jakut etnik nga Republika Sakha e Siberisë, e quajtur Jakutia.
“Shpresoj se do ta fitoj besimin e tyre”
Që nga koha cariste, shërbimet sekrete ruse kanë një histori infiltrimi në organizatat opozitare me spiunë dhe provokatorë. Në fakt, nganjëherë pohohet se nuk ekziston diçka e tillë si një “ish-oficer” i GRU. Prandaj Ammosov nuk habitet kur dikush e pyet se si mund të besohet.
“Nuk ka asnjëherë garanci… Por, unë shpresoj se duke shërbyer dhe punuar kundër Rusisë, do ta fitoj besimin e njerëzve”, deklaroi ai.
Radio Evropa e Lirë nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur rrëfimin e Ammosovit për të kaluarën e tij, por ajo u mbështet nga dokumentet e regjistrimit të shërbimit. Ai tha se është verifikuar vazhdimisht nga strukturat e sigurisë dhe ato ushtarake të Ukrainës.
“Kam kaluar të gjitha kontrollet e imagjinueshme dhe të paimagjinueshme… Nëse po flas me ju tani, atëherë i kam kaluar… Unë jam gati të shkoj në territorin e Rusisë dhe t’i shkatërroj armiqtë atje. Armiqtë e atdheut tim janë ata që mbështesin Qeverinë e Putinit… Bashkatdhetarët e mi, me sa duket, janë bërë shërbëtorë të forcave të errëta”, tha ai më tej.
Pretendimet e pabaza të Moskës se fashistët kanë marrë kontrollin e Ukrainës janë të çuditshme për Ammosov.
“Nuk ka shtet më fashist se Rusia,” tha ai.
Përparimi i një imperialisti
Karriera ushtarake e Ammosovit është e gjatë, siç e përshkruan, ai është një veteran i dy luftërave të Moskës në Çeçeni, në vitet 1990 dhe 2000, dhe i diplomuar në disa prej instituteve ushtarake më prestigjioze të vendit. Në retrospektivë, thotë ai, po trajnohej për të qenë “imperialist”.
“Unë jam produkt i Bashkimit Sovjetik”.
Betejat e Çeçenisë “më kthjelluan”, vazhdoi ai. “Unë besoja se kishte banditë të vërtetë atje për shkak të dezinformatave. Megjithatë, pashë njerëzit e thjeshtë dhe atë se për çfarë po luftonin. Ishte një luftë për çlirim”.
Ai, gjithashtu, thotë se u zhgënjye me oficerët rusë në atë kohë.
“Gjithmonë më kanë mësuar se oficerët janë njerëzit më të mirë”, tha Ammosov. “Por, më pas pashë se si ishin kur kalonin 10 ditë pa pirë alkool. Kishte disa që thjesht shkatërruan gjithçka. Kishte që shitën armët. Kishte disa që thjesht na tradhtuan dhe na dërguan që të masakrohemi”.
Ai, megjithatë, “kishte një bindje të brendshme” se duhej të mbronte atdheun.
Ammosov pohoi se pas shërbimit të tij të luftës, ai u punësua nga GRU dhe u shkollua në përdorimin e modelimit matematik për të “gjetur pikën e dobët të ekonomisë së një vendi”.
“Ju mund të gjeni një pikë të dobët në çdo sistem teknik kompleks”, tha ai. “Këto ditë, pa energji elektrike nuk ka jetë. Edhe fikja e të gjithë telefonave inteligjentë për disa orë mund të ketë një ndikim të madh në ekonomi”.
Qëllimi përfundimtar, përfundoi ai, ishte “të shkatërrohen të gjitha vende e tjera”.
Duke qëndruar në ballë
Si një jakut etnik, Ammosovi tha se ai shpesh përjetoi racizëm dhe shovinizëm nga rusët etnikë. Ai tha se nuk është e pazakontë të ndalohesh nga policia ose të qortohesh nga kalimtarët në qytetet kryesore ruse thjesht për shkak të fjalës “jakut” në publik.
“Kur shkoja në Moskë dhe shkoja në një stacion metroje, do të më ndalonin menjëherë”, tha ai. “Si një “jo-rus”, vetëm letrat e oficerit më shpëtuan. Më trajtuan si një person të dorës së dytë”.
“Që kur kam qenë në Ukrainë, asnjëherë nuk më është kërkuar pasaporta”, shtoi Ammosov. “Nuk jam ndalur kurrë nga policia”.
Ai u zhgënjye më tej pasi Rusia e Putinit po bëhej gjithnjë e më autoritare.
“Ishte e vështirë të shikoje njerëzit duke u rrahur”, tha Ammosov për Radion Evropa e Lirë. “Dhe, njerëzit duke u burgosur. Mendoja – a nuk mund të mblidhemi dhe t’i luftojmë?”.
Ammosov e la shërbimin aktiv dhe hyri në rezervat ushtarake përpara se Rusia të pushtonte rajonin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014 dhe të nxiste një luftë separatiste në pjesë të Ukrainës lindore.
Ai pohoi se ndërsa konflikti në Ukrainë prek strukturën shumë të centralizuar të Rusisë, ka shumë zemërim të mbledhur në Rusi që padyshim do të shfaqet dikur.
“A mund ta paramendosh se sa shumë urrejtje do të ketë pas rënies së Rusisë? Njerëzit do t’i kujtojnë ngjarjet [që kanë ndodhur] për 100 ose 200 vjet”.
Në mendjen e Ammosovit, agresioni i Moskës kundër Ukrainës më 2014 ishte “fillimi i fundit” për Rusinë.
“E kuptova menjëherë”, përfundoi ai.