Policia e Kosovës, para pak çastesh, e kanë sjellë deputetin e Vetëvendosjes, Albin Kurti në gjykatë. Siç bëhet e ditur nga terreni, Kurti është sjellë i prangosur pasi që për të njëjtin ka ekzistuar urdhri për sjellje me detyrim për shkak të mungesës së tij në seancën e kaluar.
Kurti: Sistemi i Drejtësisë Hallkë e ‘Zajednicës’
Ka nisur seanca kundër Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupit, Albulena Haxhiut e Faton Topallit.Sot është seanca në të cilën të akuzuarve dhe avokatëve të tyre u mundësohet kundërshtimi i aktakuzës. Kurti, Haxhiu, Topalli e Kadaj-Bujupi akuzohen nga prokuroria për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Rasti i tyre lidhet me aktivizimin e gazit lotsjellës nëpër seancat e kaluara të Kuvendit të Kosovës.
Në fillim të seancës Hedije Ademi, avokatja sipas detyrës zyrtare e Albin Kurtit, tregoi se e ka dorëzuar me shkrim kundërshtimin e aktakuzës, ndërsa i mbetet besnike atij kundërshtimi. Pastaj Albin Kurti tha se avokatja Hedije Ademi nuk e përfaqëson atë. Edhe Kurti tha se qëndron prapa kundërshtimit të aktakuzës. “Për bindjen time policia, prokuroria, gjyqësia janë hallaka të ‘zajednicës’ në Kosovë,” tha Kurti. Donika kadja-Bujupi u dha të drejtë veprimeve opozitare. “Ne e mbrojtëm kushtetutën me veprimet tona dhe kjo u konfirmua edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kjo konfirmon se ne asnjëherë nuk kemi qenë në konflikt me ligjin,” tha Kadaj-Bujupi. Albulena Haxhiu nuk u deklarua fare.
Opozita vitin e kaluar kërkonte tërheqjen e nënshkrimit të qeverisë nga marrëveshjet për asociacionin dhe demarkacionin të nënshkruara më 25 e 26 gusht të 2015-ës, ndërsa sivjet kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhjeve të lira, pasi Gjykata Kushtetuese më 23 dhjetor 2015 konstatoi se parimet e marrëveshjes për asociacionin nuk janë plotësisht në pajtim me frymën e kushtetutës. Opozita po mundohet ta pengojë edhe punën e Kuvendit me hedhjen e gazit lotsjellës. Kjo ndodhi edhe në seancën e së premtes së kaluar.