Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës dhe drejtuesi i PS për Qarkun, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me banorët e Zall-Bastarit, me të cilët bisedoi se si kjo zonë, thuajse e izoluar 8 vjet më parë, sot po merr njësoj investime si në qendër të Tiranës. Ai veçoi faktin se këto investime janë shtrirë deri në cepin më të largët, duke ofruar shërbimet e munguara, që nga infrastruktura rrugore, e deri te shkolla e re e tregu i ri agroushqimor që do ndihmojë fermerët e zonës.
Veliaj tha se të gjitha këto vijnë falë bashkëpunimit me Qeverinë, e cila po ashtu ka sjellë qendrën e re shëndetësore në Zall-Bastar, por edhe aksin nacional të Rrugës së Arbrit.
“Ka ende njerëz që thonë: “Paska shkuar deri në Zall-Bastar!” Por, sot Zall-Bastari është vetëm 30 minuta nga dalja e Tiranës, sepse bashkë me qeverinë ne ndamë punën: Qeveria bëri Rrugën e Arbrit, deri te degëzimi në Zall-Dajt, kurse ne bëmë rrugën e Zall-Bastarit, prandaj sot vjen këtu për 30 minuta. Me ilustrimin që sapo bëra, tregojmë se me këtë bashkëpunim të jashtëzakonshëm mund t’i çojmë gjërat akoma më përpara. Ja ku jemi sot, në një nga hapësirat më të bukura, në qendër të fshatit, qoftë për një aktivitet, për një panair apo festë. Duhet të vini të takoni njerëz të mirë, ajër të pastër, keni ushqime bio dhe gjeni një realitet totalisht të transformuar”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se ndihet mjaft krenar për të gjitha këto investime, për të cilat sot vjen me kokën lart përpara banorëve të Zall-Bastarit. “Do e kisha shumë siklet të vija këtu nëse s’do e kisha mbajtur fjalën për rrugen e re apo për tregun. Do isha shumë në hall nëse s’do e kishim mbaruar shkollën. Do isha për turp sot, nëse s’do kishte mbaruar qendra shëndetësore dhe do e kisha me shumë sekëlldi të vija nëse nuk do kishin filluar punimet e urës në Fezaj, ashtu siç kishim premtuar, dhe po u premtoj sot, ura do mbarojë përpara afatit – e ka afatin në tetor, ne do e mbarojmë përpara se të vijë vera,” u shpreh Veliaj./m.j