Tarun Bassi dhe Anisa Sali janë të martuar. I pari është nga India dhe tjetra nga Shqipëria, me origjinë nga Saranda. Ata rrëfyen në “Shije Shtëpie” në Tv Klan historinë e dashurisë dhe se si u njohën nëpërmjet rrjeteve sociale. Por pavarësisht gjithçkaje ata vendosën të vinin kurorë së bashku. Anisa na rrëfeu se çfarë përshtypjesh pati dhe gjënë e vetme që e trembi kur vizitoi në fillim New Delhi-n.
“Gjëja e vetme që më trembi ishte ajo pjesa kaotike e qytetit. Ne jemi mësuar të ecim në këmbë, ta shijojmë natyrën. Unë në Tiranë shkoja me këmbë në punë, vija në këmbë në shtëpi dhe e shijoja. Atje ishte pak e vështirë që të dilje të ecje diku në këmbë. Duhej të merrje makinën thjesht ngaqë edhe popullsia ishte shumë e madhe”, tha Anisa.
Ata kanë bërë një dasmë tradicionale indiane. Anisa shpjegoi detaje nga dasma.
“Në përgjithësi dasmat bëhen akoma më të mëdha. Ne vendosëm ta bëjmë pak më të vogël dhe më intime. Ka disa ceremoni, 4-5. Është ceremonia e kënasë që gocat do lyejnë me zbukurime të ndryshme duart dhe këmbët. Mund të vendosësh edhe emrin ose inicialet e bashkëshortit dhe ai duhet që t’i gjejë. Ajo ishte e bukur sepse gjithmonë i kam pasur qejf ato vizatimet me këna. Pastaj kanë një ceremoni për vendosjen e disa byzylyqeve, që i mbajnë gratë pas martese. Këto byzylyqe t’i jep daja nga ana e mamit. Nuk kisha asnjë nga familja ime aty. Në pjesën e marrjes erdhi vëllai dhe dajoja”, tha ajo.
/a.r