Rusia tha të enjten tha se nuk do ta zgjasë përtej 18 majit afatin e marrëveshjes së drithit të ndërmjetësuar nga OKB-ja, nëse Perëndimi nuk heq një sërë pengesash për eksportin e grurit dhe plehrave ruse.
Marrëveshja e eksportit të grurit të Ukrainës përmes Detit të Zi u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia në korrik të vitit të kaluar për të ndihmuar në zbutjen e një krize globale ushqimore të përkeqësuar nga konflikti, që ndërpret eksportet nga dy prej furnizuesve kryesorë të drithërave në botë.
“Nëse nuk ka përparim për zgjidhjen e pesë problemeve sistematike…nuk është e nev
ojshme të flitet për zgjatjen e mëtejshme të afatit të nismës së Detit të Zi pas 18 majit”, tha përmes një deklarate ministria e jashtme ruse.
“Ne vërejmë se pavarësisht nga deklaratat e forta për sigurinë globale të ushqimit dhe ndihmën për vendet në nevojë, Nisma e Detit të Zi shërbeu dhe vazhdon t’u shërbejë ekskluzivisht eksporteve tregtare të Kievit në interes të vendeve perëndimore”, tha ministria ruse.
Për të bindur Rusinë që të lejonte Ukrainën të rifillonte eksportet e grurit përmes Detin e Zi vitin e kaluar, Kombet e Bashkuara ranë dakord përmes një marrëveshjeje të veçantë trevjeçare në korrik, që të ndihmonin Moskën me eksportet e saj të ushqimit dhe plehrave.
Rusia tha se dy marrëveshjet ishin “pjesë të ndërlidhura të një ‘pakete’dhe kritikoi Sekretariatin e OKB-së për atë që e quajti një shtrembërim të fakteve.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha se “po vazhdojnë diskutimet dhe komunikimet me palët” dhe se zyrtarët e OKB-së ishin të vendosur të siguronin zbatimin e të dyja marrëveshjeve.
Ai tha në lidhje me eksportet e Rusisë se “ka ende shumë çështje kritike që duhen zgjidhur lidhur me pagesat dhe çështje të tjera teknike” që zyrtarët e OKB-së po përpiqeshin t’i zgjidhnin.
Por ai vuri në dukje se “ka pasur disa rezultate konkrete që kanë sjellë si rezultat shtimin e vëllimit të tregtisë së grurit, uljen e tarifave të mallrave dhe rritjen e numrit të anijeve në portet ruse që kërkojnë plehra kimike.”
“Pra, kemi bërë një farë përparimi, por vazhdojmë të përpiqemi që të bëjmë më shumë,” tha zoti Dujarric./VOA/