Premtimi i kandidatit të koalicionit Meta-Berisha, Belind Këlliçit për transport publik falas në Tiranë nëse zgjidhet kryebashkiak, nga pjesa më e madhe e qytetarëve shihej e parealizueshme, sipas sondazhit të Institutit italian ‘Piepoli’ të realizuar në bashkëpunim me Report TV. Në të njëjtën mënyrë me skeptikët e komentoi edhe nënkryetari aktual i bashkisë së Tiranës, Arbër Mazniku i cili e konsideroi si premtim të padobishëm për të tërhequr vëmendjen.
Mazniku në studion ‘Real Story’ me gazetarin Sokol Balla në Report TV, tha se transporti publik nuk mund të jetë kurrë falas dhe se një premtim i tillë bëhet nga persona të cilët e dinë se nuk mund t’i fitojnë zgjedhjet.
“Për çdo fushatë ofrohen gjëra që janë pa para, gjithmonë ka njereëz që do thonë se u duket interesante. Është tipike e njerëzve që nuk do jenë në detyrë dhe në këto raste bëjnë hapjen e thesit, nxjerrin premtime pa sens të padobishme për të tërhequr vëmendjen. Transporti publik nuk mund të jetë kurrë falas. Vendimi që duhet marrë, ose duhet të paguhet nga të ardhurat e përgjithshme të bashkisë, ose këtë shërbim do e paguajnë ata që e përdorin”- u shpreh Mazniku.
Ndërsa nga ana tjetër, mjeku Ilir Alimehmeti i cili po ashtu është pjesëë e stafit të fushatës së Këlliçit, u shpreh se një premtim i tillë për transportin publik falas është plotësisht i realizueshëm nëse paratë e abuzuara nga fondet publike do të përdoreshin për këtë qëllim.
“Kemi aq shumë para të abuzuara sot, dhe abuzimin mund ta kthejmë në investim, 8.6% e buxhetit shkon për këtë pjesë që themi ne. Oferta jonë është kjo dhe ne po e agumentojmë. U takon njerëzve ta vendosin. Vetë kryetari në detyrë ka dalë dhe kathënë se po e mendojnë prej 3 vitesh. Është e mundur, një pjesë e parave të abuzuara, nga abuzimi do e kthejmë në shërbim. Adresojmë korrupsionin dhe abuzimin në sektorin publik”-tha Alimehmeti.
Më tej, ai theksoi se nëse Këlliçi do të zgjidhet në krye të bashkisë së Trianës, një premtim i tillë mund të realizohet brenda 4 viteve të mandatit të parë.
“Periudha përtë cilën do ta realizojmë ne këtë premtim, do jetë më shpejt se brenda 8 viteve, që partia aktuale i ka pasur si kohë. Kanë pasur 8 vite në dispozicion, unë ua garantoj se e zhvillojmë në një kohë reale dhe konkrete që do jetë më pak se gjysma e kohës që ka pasur në dispozicion Partia Socialiste”-shtoi ai.