I Ftuar në “Debat” nga Alba Alishani në A2CNN, eksperti i ekonomisë, Ardian Civici foli në lidhje me reformën e qeverisë shqiptare për rritjen e pagës mesatare dhe asaj minimale në këtë prag fushate.
Sipas Civicit, më e rëndësishme është qëllimi i kësaj reforme, garancia e zbatimit të saj, garancia e mos prishjes së buxhetit, se sa thjesht dhe vetëm diskutimi nëse po bëhen apo jo për qëllime elektorale.
Z. Civici nëse duam të bëjmë këtë lloj kampizimi, nëse është një reformë dhe cilat janë elementët që e rreshtojnë në rang reformash, apo janë nisma spontane e vendosur në minutat e fundit, pa u konsultuar me grupet e interesit dhe pa pasur një ekspertizë të mirë menduar. Kësaj radhe do duhet ta listonim si një komponent dukshëm dominant elektoral. A është i tillë, apo ka momente kur mund ta lexoni edhe si reformë?
Natyrisht që këtij lloj arsyetimi dhe këtij lloj këndvështrimi nuk mund ti shmangesh dot për dy arsye. Së pari, kur bëhet fjalë për masa, politika ose reforma të rëndësishme, sa herë ndodhin bëhen pjesë e këtij diskutimi. Dhe së dyti, ne çdo dy vite në Shqipëri kemi zgjedhje dhe korrespondon ose edhe përdoren disa lloj politikash, kur janë të vështira nuk bëhen në prag fushatash, ose politika shumë të ndjeshme sociale, ku futet edhe ajo e pagave, që lidhet me zgjedhjet politike. Më e rëndësishme është thelbi i kësaj reforme, garancia e zbatimit të saj, garancia e mos prishjes së buxhetit, sesa thjesht dhe vetëm diskutimi nëse po bëhen për qëllime elektorale.
/a.r