Deputeti i Lezhës, Armando Prenga ka deklaruar dje se nuk ka asnjë shqetësim nga ligji i dekriminalizimit, pasi ai nuk ka kryer vepër penale, shkruan Panorama.
Prenga tha se ndaj tij ka pasur shumë akuza politike, por ai nuk ka kryer asnjë vepër penale që nga mosha 1 vjeç dhe deri më 41 vjeç.
“Kam dëgjuar shumë aludime dhe akuza në drejtimin tim. I bëj me dije opinionit publik se, që nga mosha 1 vjeç dhe deri tani që jam 41 vjeç nuk kam asnjë lloj vepre penale. Dhe në rast se ju do të gjeni ndonjë vepër penale ndaj Armando Prengës, do t’ju kërkoj ndjesë publikut, si brenda vendit ashtu dhe jashtë vendit. Do të kërkoj ndjesë publike dhe do të largohem nga politika”, tha dje ai.
Deputeti i Lezhës deklaroi se do të presë me qetësi çdo lloj vendimi që do të marrë Gjykata e Lartë në lidhje me çështjen e tij.
“Unë po pres vendimin e gjykatës me qetësi, çfarëdo lloj vendimi, si negativ, si pozitiv, unë e mirëpres”, tha Prenga. I pyetur për një rikthim të mundshëm në Grupin Parlamentar të PS-së, ai tha se është përjashtuar nga kjo parti dhe se nuk përjashtohet mundësia që të bëhet pjesë e grupeve të tjera parlamentare në Kuvend.
“Unë jam i përjashtuar nga PS-ja. Do të bëj jetën time parlamentare, do të përfaqësoj rrethin tim. Si i pavarur? Nuk është momenti për ta thënë tani, në vazhdimësi do ta bëj me dije. Do të rri në politikë dhe në momentin e fundit do shoh çfarë vazhdimësie do të vazhdoj”, tha deputeti i Lezhës.