Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i është përgjigjur kryedemokratit Sali Berisha që nga Parlamenti akuzoi Kryeministrin Edi Rama, se sipas tij, “qëndron pas aktit terrorist ndaj kryetarit të PD në Vaun e Dejës me heshtjen e tij”.
Në një prononcim për Klan News, Balla tha se duhet pritur hetimi i policisë dhe i prokurorisë për këtë ngjarje.
Sipas Taulant Ballës, për tritolin në makinën e kreut të PD në Vaun e Dejës mund të dalin të dhëna interesante.
Deputeti Taulant Balla: Por kur në historinë 30-vjeçare të politikës shqiptare Sali Berisha nuk ka bërë prokurorin, gjyqtarin, akuzuesin në të njëjtën kohë? Në shumë raste dhe raste të ngjashme, Sali Berisha e di përpara se të ndodhi se kush është autori apo përdor në mënyrë të paskrupullt politike ngjarje të cilat janë të rënda dhe që thirrja ime si kryetar i grupit parlamentar të shumicës në Kuvend ndaj organeve ligjzbatuese është që të hetohen dhe të zbardhenë në mënyrë të menjëhershme. Kështu që le të presim hetimet e policisë e prokurorisë për këtë ngjarje të rëndë dhe të hetohet imtësisht dhe të jenë institucionet që ngarkon ligji të cilët të na tregojnë se kush janë autorët, porositësit apo dhe interpretimet që duhet të bëhen nga ana e këtyre institucioneve. Të presim drejtësinë, unë kam besim tek drejtësia dhe policia se do ta zbardhin këtë ngjarje dhe mund të dalin të dhëna shumë interesante të cilat jam shumë i sigurt që do të japin le të themi gjithë panoramën e qartë të asaj ngjarje.
/a.r