Motra e Izet Haxhisë, Ilmia, nuk është vetëm e shqetësuar nga ngjarja e djeshme në rrethana dyshuese, por edhe e revoltuar nga dinamika e të gjithë situatës, për shkak të sjelljes së autoriteteve me të vëllanë gjatë dhe pas procesit.
Ajo shprehet se për ngjarjen në Burgun e Reçit ka dyshime të forta se ka qenë e qëllimshme, sepse edhe më parë nuk kanë munguar provokimet ndaj Izetit, i cili aktualisht trajtohet keq, në kushte të pasigurta në qeli.
Më poshtë prononcimi i saj dhënë për gazetën Dita:
“Unë nuk kam ditur asgjë për ilaçet. Shkoj e vizitoj Izetin sepse i dërgoj gjërat e nevojshme në burg, pasi edhe të afërmit e tjerë nuk jetojnë këtu. Unë jam në Tropojë dhe herë pas here e vizitoj. Izetin e njoftoj paraprakisht kur shkoj.
Në datën 10 prill më telefonoi dhe më pyet edhe për ilaçet që i kisha dërguar unë. I them se s’i kam dërguar ilaçe. Më shpjegoi se i kishin thënë se ia kishin dërguar familjarët dhe mendoi të më pyeste mua. I kam thënë në asnjë mënyrë mos i përdor.
Menjëherë jam lidhur me avokatin për të sqaruar situatën. Izeti më tej kishte kërkuar llogari nga punonjësit e burgut se cili familjar ia kishte dërguar, por ata në këto kushte këmbënguljeje nga Izeti, i kishin thënë se kishte pasur një ngatërresë me emrat.
Unë nuk besoj se mund të ngatërrohet kaq lehtë emri i personave të burgosur. Kam dyshime se ka qenë e qëllimshme. Kërkoj që të zbardhet plotësisht dhe të zbulohet e vërteta. Sepse nuk është vetëm kjo. Bashkë me avokatin kishim kërkuar që Izeti të mos lëvizej nga Burgu 302, si për arsye sigurie, ashtu edhe për arsye të gjyqit që ende po vijon. Pasi të mbaronte edhe procesi, të bëhej lëvizja.
Ne nuk e prisnim këtë transferim, ishte i papritur dhe më pas e mësova se e kishin çuar në Reç. Atje kushtet janë mizerabël. Izeti më tha se edhe një stol për tavolinë nuk e kishte, që të mbështetej apo të hante. Kjo ngjarje e shoqëruar edhe me ngatërrimin e ilaçeve duket se nuk janë shumë rastësore.
Unë apeloj ndaj shtetit, burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë që të rritet siguria për Izetin. Im vëlla është i pafajshëm dhe ne kërkojmë vetëm drejtësi prej kaq shumë vitesh. Duam vetëm drejtësinë, sepse jemi të rraskapitur. Jemi të revoltuar dhe rënduar psikologjikisht nga kjo situatë. Duke parë ngjarjet si kanë ndodhur që kur Izeti është dorëzuar, nuk kemi shumë besim tek kjo drejtësi. Unë nuk i besoj aspak…”.
/a.r