Sipas të dhënave të “Agjencisë Europiane të Statistikave” Shqipëria është ndër pesë vendet e para e cila regjistron rritjen më të lartë të pagave në sektorin e ndërtimit gjatë vitit 2022. Pagat janë rritur me 16% përgjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2021, ndërkohë janë rritur me 63% krahasuar me periudhën bazë, vitin 2015-të. Mesatarja e Bashkimit Europian sa i pëket rritjes vjetore të pagave në sektorin e ndërtimit është 7.9%, ndërsa krahasuar me periudhën bazë, pra viti 2015=100, rritja llogaritet në 40%.
Referuar të dhënave, gjatë vitit 2022, Turqia ka regjistruar rritjen më të lartë të pagave në “Ndërtim” me 74.7% më shumë se në vitin 2021. Pas Turqisë ndjek Irlanda me 25.1% rritje të pagave në ndërtim dhe vijon me Malin e Zi me 16.2%. Sipas të dhënave të “Eurostat” vendi ynë ka rritjen e dytë më të lartë të pagave në rajon, pas Malit të Zi, kur flasim për sektorin e ndërtimit. Në nivel rajoni pas Shqipërisë dhe Malit të Zi renditet Maqedonia e Veriut me një rritje prej 14.1%, ndërkohë pagat në ndërtim në Serbi kanë shënuar rritje me 12.4%.
Numri i të punësuarve, po ashtu, paraqitet me rritje përgjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2021. Në Shqipëri numri i të punësuarve në sektorin e ndërtimit është rritur me 3.1%, ndërkohë krahasuar me periudhën bazë norma e rritjes për vitin 2022 në vendin tonë është 26.8%. Sipas të dhënave numri i të punësuarve në ndërtim në vendin tonë është rritur mbi mesataren e Bashkimit Europian, e cila regjistrohet në 2.3%.
Ky tregues është rritur më shumë në Malin e Zi me 22.9%, pasuar nga Irlanda me 18.3% dhe nga Islanda me 12.3%. Me rënie të numrit të të punësuarve në sektorin e ndërtimit paraqiten vende si: Çekia, Lituania, Finlanda, Greqia, Bullgaria, Letonia dhe Maqedonia e Veriut.Kjo tendencë duket se është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e “boom-it” të sektorit, por edhe e mungesës së fuqisë punëtore në vendin tonë.(Xhorxhina Deda)