Prokuroria e Tiranës me vendim gjykate ka dërguar policinë në 22 banesa për të ushtruar kontrolle lidhur me zbardhjen e atentatit në Don Bosko ku mbeti e vrarë 58 vjeçarja Mimoza Paja.
Burime pranë prokurorisë thanë se kontrollet janë ushtruar në Vlorë, Laç e Mamurras, LezhË dhe Shkodër, pasi informacionet në rrugë operative përforcuan dyshimet se pas ngjarjes janë persona me lidhje miqësie, apo të njohur të Ervis Martinaj, i zhdukur prej disa kohësh.
Në Vlorë, gjatë kontrollit në banesën e një të dyshuari, Rodrigo Shemsho, u gjetën 40 mijë euro dhe një pistoletë, por dyshohet se vetë ai është larguar jashtë vendit. Ndërkohë gjatë kontrolleve të tjera, një pjesë të personave u është kërkuar marrja e ADN-së.
Nga ana tjetër hetuesit thanë për A2 CNN se do të kërkohet marrja në pyetje e disa prej personave njëri prej tyre i plagosur në vitin 2018 në zonën e ish-Bllokut, ku i plagosur mbeti dhe vetë Martinaj.
Mimoza Paja viktima e pafajshme e atenatit të marsit në zonën e Don Boskos nuk ishte shënjestër e sulmit. Autorët qëlluan me breshëri në drejtim të lokalit në pronësi të Fatjon Muratit.
Ai u arrestua në fillim të shkurtit 2022, pasi ishte shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, si poseduesi i armëve të zjarrit të gjetura në një kompleks rezidencial në kryeqytet.
Emri i Fatjon Muratit doli në skenë edhe pas vrasjes së 3-fishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës ne korrik 2022, kur humbën jetën Brilant Martinaj, Dikler Vata e Besmir Hoxha. Prokuroria nxori një listë personash, mes të cilëve ishte dhe Fatjon Murati, si person që mund të kishte dijeni për ngjarjen.
Pas ngjarjes së rëndë në Don Bosko policia shkoi ta merrte në pyetje pasi ndodhej në arrest shtëpiak, por nuk e gjeti të riun në banesë./m.j