ALPEX është Bursa e parë Shqiptare e Energjisë që do të shërbejë dhe për Kosovën. Zv/Kryeministrja Belinda Balluku, e pranishme në aktivitet, vlerësoi punën e bërë nga Ministria e Energjisë për krijimin e kësaj burse që është e dyta në rajon.
“Sot jem këtu për të kurorëzuar një punë 5-vjeçare, e cila në disa momente dukej si e pamundur por viti 2022 ka shënuar nevojën ekstreme të të pasurit një bursë energjetike për Shqipërinë dhe Kosovën. Ja ku jemi për të lançuar ankandin e parë të ALPEX dhe për të dhënë një mundësi që brenda 12 muajve të arrijmë të kemi dhe 3 ankande ditore duke kompletuar të gjithë këtë proces. Ky është vetëm hapi i parë, kemi një bursë energjetike e dyta në rajon që i përket Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës”.
Por, sipas Ballukut, ky ishte vetëm hapi i parë dhe tani fillon një betejë e re për të krijuar likuiditetet me prioritetin për të mbrojtur konsumatorët finalë nga çmimi i energjisë elektrike.
“Askush nuk mund të thotë që mbaruam. Tani fillon një luftë e re për krijimin e likuideteteve që duhet të ketë kjo bursë, pa harruar që ne prioritet kemi mbrojtjen e konsumatorit final nga çmimet marramendëse të tregut. Siguria energjetike është qëllimi kryesor i qeverisë shqiptare. 2022 terergoi dhe njëherë se arma më e fuqishme për të goditur një shtet, një kontinent, ishte energjia. Siguria energjetike është çelësi i mbrojtjes së sovranitetit të një vendi”, tha ndër të tjera zv/Kryeministrja Balluku.
Zv/Kryeministrja Belinda Balluku bëri të ditur se Bursa Energjetike Shqiptare do t’u shërbejë edhe prodhuesve privat të energjisë në vendin tonë, të cilët do të kenë mundësi të tregtojnë energjine elektrike në këtë burse.
E këtu është fjala për energjinë e prodhuar nga panelet diellore.
“Vetëm para 1 jave së bashku me Kryeministrin kemi vizituar një nga parqet e para private që po ngrihet në zonën e Semanit. Pra janë raste konkrete. Dhe të gjitha këto sasi energjetike të cilat do t’i shtohen prodhimit tonë vendas, çdo të ndodhi me to? Ku do të tregtohen? Ato do tregtohen në mënyrë transparente dhe në një kompeticion të drejtë pikërisht në Bursën Energjetike Shqiptare. Të gjithë prodhuesit privat të energjisë elektrike do të kenë mundësi që në mënyrën më transparente të konkurrojnë me njëri-tjetrin duke përfituar nga bursa por nga ana tjetër duke i dhënë kështu edhe industrisë tonë, edhe tregut ndërkombëtar mundësinë për të marrë energji elektrike me çmime sa më të konkurrueshme dhe sa më të ulëta”, tha ndër të tjera zv/Kryeministrja Balluku.
Të pranishëm në aktivitet kanë qenë edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe zyrtarë nga Kosova.
/s.f