SPECIALE JAVANEWS / Emërimi dhe shkarkimi i Prokurorëve të Përgjithshëm në këto 25 vite, duket se shpalos tablon më të qartë të përfshirjes dhe ndikimit të politikës shqiptare në sistemin e drejtësis. Të gjitha palët, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, kanë bërë kujdes dhe presion politik që të kenë nën ndikimin e tyre institucionin e akuzës.
Shprehje e qartë e këtyre ndikimeve është edhe fakti se në harkun kohor të dy dekadave, me përjashtime shumë të rralla, institucioni i akuzës nuk ka vënë përpara drejtësis shumë zyrtarë të lartë të shtetit të përfshirë kryesisht në afera korrupsioni, por edhe në ngjarje të rënda me natyrë kriminale. Kjo dobësi reaguese e institucionit të Prokurorisë së Përgjitshme, ka bërë që shumë zyrtarë të lartë të shtetit, duke filluar nga kryeministra, ministra e me rradhë, të gëzojnë statusin e “të paprekshmit” përballë ligjit.
Të gjitha palët politike kanë parapëlqyer një Prokuror të Përgjithshëm që t’u shërbejë të gjitha palëve. Në momentin kur Prokuroria e Përgjithshme është përpjekur të gërvishtë “kore plagësh” për aferat kurruptive të krerëve më të lartë të shtetit, reagimi ka qenë i menjëhershëm duke i shkarkuar. Komisionet hetimore parlamentare kanë qenë forma më oportune për t’i shkarkuar, ndonëse vendimet e këtyre komisioneve kanë qenë në të gjitha rastet, sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të kundraligjshme.
1991, Petrit Serjani, 10 muaj Prokuror i Përgjitshëm
Shqipëria, ndonëse është një vend i vogël ballkanik, ka numërin më të lartë të prokurorëve të përgjithshëm të emëruar dhe shkarkuar në 25 vite. Plot 6 prokurorë deri më tani rezultojnë të shkarkuar nga ana e Kuvendit. Asnjëri prej tyre nuk ka arritur të kalojë më shumë se 4 vite në postin që mban. Pas shembjes së regjimit komunist, Petrit Serjani, ishte Prokurori i parë i Përgjithshëm i zgjedhur në Shqipërinë, pas zgjedhjeve pluraliste të 31 mars 1991. Ai u votua në Kuvend në garë me kandidaturën e Spiro Peçit. Zgjedhja e tij u bë pa shumë debate. Situata e nxehur politike bëri që vëmendja të mos fokusohej shumë tek ky emërim. Petrit Serjani mbajti postin e Prokurorit të Përgjithshëm nga data 14 maj 1991 deri në korrik 1992.
1992, Maks Haxhia 4 muaj Prokuror i Përgjitshëm
Maks Haxhia zgjidhet nga Kuvendi Prokuror i Përgjithshëm në korrik të vitit 1992. Ai u shkarkua 4 muaj më vonë nga PD-ja, në nëntor po të vitit 1992, duke qenë edhe prokurori më jetëshkurtër në historinë e shtetit shqiptarë. Ndonëse ishte Prokuror I Përgjithshëm ai u shpall nga PD-ja si i padëshërueshëm politikisht me akuzën se po tregohej shpirtgjërë ndaj ish-nomeklaturës dhe PS-së, e cila ishte në opozitë në atë periudhë. Shkarkimi i tij ishte i motivuar politikisht dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën. Por Kryetari i atëhershëm i Gjykatës Kushtetuese, Rustem Gjata, më 20 tetor 1992, e shpall të ligjshëm shkarkimin e Haxhis, duke krijuar në këtë mënyrë precedentin më të rrezikshëm në dëm të institucionit të akuzës, precedent i cili “hëngri” më pas edhe kokat e shumë ish Prokurorëve të Përgjithshëm.
1992, Alush Dragoshi, 4 vite Prokuror i Përgjithshëm
Në nëntor të vitit 1992 Kuvendi emëron, Alush Dragoshin, si pasues të Maks Haxhisë, në postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Gjatë kohës që Dragoshi drejtoi institucionin e akuzës u dënua me burg kryetari i atëhershëm i opozitës, Fatos Nano. Dragoshi e drejtoi institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm nëpërmjet metodës së ndëshkimit për të gjithë kundërshtarët politik të ish Presidentit, Sali Berisha. Pas trazirave të vitit 1997, PS-ja vjen në pushtet. Dragoshi ikën dhe në krye të Prokurorisë vjen, Arben Rakipi.
1997, Arben Rakipi, 4 vite e gjysëm Prokuror iI Përgjithshëm
Shkarkimi I Rakipit, pas atij të Haxhisë, përbën një rast klasik të ndërhyrjes së dhunshme të politikës në sistemin e drejtësis. Përplasjet e ashpra brenda PS-së, si dhe flirtet politike mes Ilir Metës dhe Sali Berishës, çuan në shkarkimin e Rakipit, pasi ai u shpall se ishte mbështetës i ish- kryeministrit, Fatos Nano. Ai akuzohej se ishte bërë palë me njërin prej grupeve kundërshtare në PS, pikërisht atë të kryetarit të kësaj partie, Fatos Nano. PD që ishte në opozitë atëhere propozoi mocion për shkarkimin e Rakipit. Ai u shkarkua me 78 vota pro, 10 kundër, 5 abstenime. Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues shkarkimin e Rakipit. Në vend të Arben Rakipit, Prokuror i Përgjithshëm u emërua Thodhori Sollaku.
2002, Thodhori Sollaku, 4 vite e gjysëm Prokuror i Përgjithshëm
Sollaku u vu në postin e kreut të akuzës me pëlqimin e palëve, ndonëse kishte qenë më parë këshilltar juridik i ish- Presidentit, Berisha. Në këtë funksion ai mbeti edhe kur në krye të Presidencës erdhi në postin e kreut të shtetit, Rexhep Meidani. Por pikërisht ai që e propozoi, Berisha, 4 vite e gjysëm më vonë e shkarkoi përmes një komisioni hetimor. Por Presidenti i athershëm, Alfred Moisiu refuzoi të firmosë shkarkimin e Sollakut nga detyra. Në vitin 2007, fPresident zgjidhet Bamir Topi, deri atëhere numri dy i PD-së. Një ndër vendimet e para të tij, ishte edhe firmosja e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, bazuar mbi raportin e komisionit hetimor për veprimtarinë e prokurorisë. Sollaku e ankimoi vendimin e parlamentit në Gjykatën Kushtetuese, e cila e vlerësoi antikushtetues vendimin e Parlamentit për shkarkimin e Sollakut. Por ashtu si me Rakipin, as Sollaku nuk u kthye në detyrë. Në vend të Sollakut, Bamir Topi emëroi në postin e Prokurit të Përgjithshëm, Ina Ramën, e cila u bë juristja e parë femër në Shqipëri që arrinte në këtë post.
2007, Ina Rama, 4 vite e gjysëm Prokurore e Përgjithshme
Por as juristja e re 35 vjeçare nuk pati ndonjë fat më të mirë se paraardhësit e saj, Haxhia, Rakipi dhe Sollaku. Ajo u shkarkua me të njëjtën skemë si paraardhësit. Edhe në shkarkimin e saj diktuan përplasjet politike sidomos pas ngjarjeve të 21 janarit 2011 dhe pas acarimit të marrëdhënieve midis Berishës kryeministër dhe Topit President. Kryeministri Berisha dhe mazhoraca, bashkë me aleatin e tij Ilir Meta, e akuzuan Bamir Topin e Ina Ramën si pjesë e “puçit shtetëror”. Vlerësimi i Berishës për Ina Ramën kaloi nga “Silvia Konti e Shqipërisë” tek një “lavire bulevardi”. PD-ja e shkarkoi Ina Ramën me motivacionin se ka mbushur mandatin 5-vjeçar në këtë institucion. Në vend të Ina Ramës u zgjodh në krye të Prokurorisë së Përgjithshme Adriatik Llalla, post të cilin ai vijon ta mbajë edhe aktualisht.
(javanews.al) Me. Ar