Sërish PD-ja e Berishës është futur në një përplasje me ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, zonjën Yuri Kim.
Kjo e fundit në një dalje të saj publike nga “Zëri i Amerikës”, i cili në fakt është zëri i Departamentit Amerikan të Shtetit, mbajti një qëndrim të qartë për zgjedhjet në Shqipëri duke kërkuar që të mos votohen “non grata”-t.
Është një deklaratë e përsëritur e ambasadores, një qëndrim konsekuent i saj. Pra, që duket qartazi që nuk është një çështje personale e zonjës Kim, por një qëndrim që Departamenti i Shtetit e mban ndaj çdo individi që shpallet “non grata”.
Nuk duket të ketë një agjendë personale, në këtë rast ku ambasadorja, e cila është mëkëmbësja e Departamentit të Shtetit në Tiranë mban një qëndrim ndaj opinionit publik në Shqipëri duke thënë se një “non grata” nuk duhet të votohet dhe mbështetet nga shqiptarët.
Ndryshe do të ishte rasti nëse përballë qeverisë nuk do të ishte një person “non grata” dhe kjo është e qartë.
Ambasada mund të mbante qëndrim kritik me qeverinë, mund të kishte qenë dhe neutral por në rastin e një personi “non grata”, ambasadorja do të bëjë detyrën që i jep Departamenti Amerikan i Shtetit.
Agjendat personale nuk vlejnë në këtë rast dhe as nuk ngjitin në opinionin publik.
Nuk e di kush është këshilltar, kush organizon fushatën, kush jep mendim se si duhet të sillen për të fituar më shumë vota apo për të fituar zgjedhjet, por në një mesfushate, edhe pse nuk ka filluar zyrtarisht të sulmosh ambasadoren e SHBA-së dhe të fillosh të krijosh një retorikë acaruese me përfaqësuesen e Departamentit të Shtetit në Tiranë është gabim.
Ajo mund të mbajë qëndrimet e saj ashtu sikundër ka udhëzimet që i jep Departamenti i Shtetit, pasi nuk e ka një qëndrim njëherë, më pas heshti dhe pastaj u kujtua. Jo! E ka përsëritur në mënyrë konstante, të pandalshme, çka tregon se ajo ka një porosi të qartë dhe ajo ka një qëndrim të qartë.
Këtë e di shumë mirë edhe doktor Berisha dhe shumë politikanë të tjerë në oborrin e PD-së, disa prej të cilëve edhe janë ftohur me ambasadën, edhe pse kanë qenë partnerë të rëndësishëm të saj.
Është një politikë e qartë e SHBA-së që nuk mbështet një “non grata”, pavarësisht se ka shumë njerëz, të cilët shpresojnë që Berisha do t’i rikthejë në pushtet, shpresojnë që Berisha do të rrëzojë Edi Ramën.
Kjo është një zgjedhje e demokratëve, kë zgjedhin në krye, kë rrëzojnë. Është një zgjedhje dhe e vetë shqiptarëve, kë duan kryeministër, kë do të rrëzojnë. Por futja në një retorikë e PD-së me ambasadën nuk e ndihmon këtë të fundit në opinionin publik dhe nuk i shton asnjë votë, përkundrazi e dëmton atë.
Patjetër që ambasadorja ka dalë me një qëndrim të qartë për të dëmtuar Berishën sepse konsiderohet një njeri i shpallur “non grata”, por PD-ja nuk ka pse të përplaset dhe individët e saj nuk kanë pse të krijojnë retorikë pasi flet Edi Paloka reagon ambasada, thotë qasjet e vjetra politike, stilet e vjetra të politikës shqiptare e kështu me radhë.
Dhe vazhdon përsëri të njëjtën gjë. Atë, që ka kohë që ua thotë shqiptarëve. Prandaj PD përveç hallit të Sali Berishës duhet të ketë hallin e saj.
Doktori mund të qëndrojë në krye mund ta mbështesin ajo është një zgjedhje e shumicës së demokratëve, por futja në një debat kur Departamenti Amerikan i Shtetit është i qartë në qëndrimin e tij, thjesht dhe vetëm e dëmton PD-në përballë qytetarëve shqiptarë.
Ndaj dhe do të duhet të jetë më e kujdesshme në të tilla reagime dhe qëndrime. Heshtja dhe mosreagimi, por një qëndrim i qartë duke kërkuar që institucionet dhe ambasadorët të mos përfshihen në fushatë dhe të mos shkelin sovranitetin e vendit, është një qëndrim.
Por reagimi, sulmi, fyerjet, linçimi nga militantë injorantë në delir, të cilët kujtojnë se po fitojnë një luftë të padrejtë, pasi Amerika u ka shpallur liderin “non grata” është e gjitha e gabuar.
Dikush të flasë në PD. Ndoshta dhe Berishës dhe kujtdo tjetër në lidhje me ambasadën e SHBA-së apo me ambasadoren.
Sulmet ndaj saj dhe akuzat politike nuk ndikojnë dhe nuk shtojnë asnjë votë, ato thjesht dhe vetëm ulin numrin e tyre.
Reagime ndaj ambasadores, në rast se ka informacione, ka shkelje e të tjera, ka rrugë të tjera, të cilat i çohen intsitucioneve në Departamentin e Shtetit dhe jo retorika politike.
Ajo nuk do të zgjidhet në mënyrën se si po krijohet, në mënyrën se si po sillen dhe në pasojat që po sjell dhe pikët e fituara në fushatë ditë pas dite humben pas reagimeve të ashpra, linçimeve, sulmeve, fyerjeve apo akuzave në mënyrë të vazhdueshme pa fakte ndaj çdo diplomati amerikan, britanik e kushdo tjetër.
Në rast se ka fakte dhe prova ato duhet t’i bëhen të ditura opinionit apo institucioneve. Duke sulmuar dhe akuzuar sikur flasin kundër Ramës, Veliajt apo një cope pushteti është totalisht e gabuar sepse partnerët strategjikë, aleatët, kurrsesi nuk mund të lejojnë që individi që drejtojë institucionet e tyre diplomatike, t’i keqpërdorin ato për interesa personale.
Patjetër që mund të ketë dhe abuzime, mund të ketë dhe problematika, por këto duhen faktuar dhe publikuar apo çuar dhe tek strukturat që i hetojnë në shtetet e tyre. Kjo është e rëndësishmja. Retorika me fjalë politike thjesht dhe vetëm dëmton edhe më tej PD-në./CNA.al