Analisti Skënder Minxhozi, në një intervistë për “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, tha se ligji i dekriminalizimit është antikushtetues. Minxhozi u shpreh se ligji i dekriminalizimit synon të filtrojë personat e inkriminuar po sipas tij, e keqja më e madhe qëndron brenda partive politike.
“Problemi i dekriminalizimit është sa thelbësor aq dhe i zgjidhur keq dhe në mënyrë antikushtetuese. Është një ligj që nëse dikush do të guxonte ta çonte në Gjykatën Kushtetuese ose kudo do të binte sepse askujt nuk mund t’i kufizohet e drejta për të kandiduar.
Duket si tabu sepse të tillë e kanë kthyer por në vetvete dekriminalizimi është një ligj jo kushtetues. Ky lloj ligji është si një sitë mekanike që tenton të filtrojë dhe mbajë të gjitha papastërtitë që i afrohen procesit politik dhe e kemi fjalën për persona me të shkuar kriminale, të të blerit vota, të presioneve, dhunës apo parregullsive të tjera.
Kjo është pilulë paracetamoli në një rast ku duhet operacion. Ky lloj ligji mund të filtrojë vetëm një pjesë të të keqes që i afrohet institucioneve në Shqipëri sepse e keqja më e madhe është brenda partive politike. Janë ata që i kandidojnë këto persona, duke i ditur në pjesën dërrmuese të rasteve.
Vetë partitë e dinë se çfarë po vënë ne fletën e votimit dhe janë ato me mekanizmat e prishur të filtrimit dhe më pas dërgimit në KQZ, janë e keqja e madhe. Do të thotë se dekriminalizimi duhet të fillojë që nga mekanizmat që iniciojnë kandidaturat dhe jo vetë tek kandidaturat. Kandidaturat janë pasoja, shkaku janë partitë.”, tha Minxhozi./m.j