Analisti dhe sociologu Ergys Mërtiri tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se e vlerësonte kandidimin e Roland Bejkos për kryetar të bashkisë së Tiranës, si tregues të kurajës për të marrë përsipër koston dhe sulmet.
Por për analistin Neritan Sejamini, sulmet politike kanë qenë që në fillimet e politikës në botë dhe një nga elementët kryesorë të marrjes me politikë është kostoja që merr.
Pjesë nga biseda në studio:
Ergys Mërtiri: Nëse ka një arsye pse unë e kam vlerësuar kandidimin e Rolandit është se sot ka nevojë të shpëtohet Partia Demokratike. Ajo rrezikon të shndërrohet në një bunker për mbrojtjen e interesave të një personi. Zhvillimet e këtyre kohëve kanë qenë sulme që kanë ardhur nga Foltorja kundër çdo kandidati.
Kemi rastin e shkrimtarit Rudi Erebara që u sulmua egërsisht, edhe privatisht, që të mos lejohej të kandidonte. Sot ndodhemi në këtë pikë ku nuk duan të kandidojnë për të mos u përballur me këtë lloj shantazhi.
Kjo lloj politike skarcon çdo njeri me dinjitet dhe në këtë aspekt mendoj se kandidimi i Rolandit është kurajoz, sepse i ka marrë parasysh të gjitha. Pak njerëz kanë këtë lloj kurajoje. Ka njerëz që kthejnë shpinën, që presin si do të dalë rezultati, njerëz që janë në krahun kundër Berishës, por kanë frikë të flasin.
Neritan Sejamini: Çështja e sulmeve politike është çështje e përbotshme, që nga fillimi i politikës.
2200 vjet po të lexosh, që nga Ciceroni, një nga problemet kryesore është që në fushata shpifet ndaj kundërshtarit. Një nga elementët kryesorë të marrjes me politikë është kostoja që merr. Një njeri që ka kurajo të ngrihet mbi llafe, ngrihet mbi këto sepse ka kurajo dhe e merr këtë kosto.
Nëse thua që po të shanë në Facebook nuk duhet të kandidosh, atëherë nuk e di pse rri Edi Rama në politikë dhe të shkojmë në një botë qiellore…
Një pjesë e përplasjes në politikë është e pandershme, por nuk do të thotë që politika në botë ka mbaruar. Ti po më sjell një argument që nuk ka vlerë fare, ai që ka kurajo bën këtë gjë.
Në Amerikë thonë duhet të kesh lëkurë të trashë që mos prekesh.
/a.r