Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan, ku më pas është nënshkruar një marrëveshje strategjike mes Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në Shqipëri dhe Këshillit të Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe. Këtë marrëveshje, në një konferencë për shtyp, kryeministri Rama e konsideron të një rëndësie të jashtëzakonshme strategjike për vendin tonë.
“Dua të falenderoj prej zemrës ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të gjithë ata në këshillimin e Presidentit të Emirateve dhe ministrit të Jashtëm kanë ardhur të nënshkruajnë këtë marrëveshje që është e një rëndësie të jashtëzakonshme strategjike për vendin tonë sepse ka të bëjë me sovranitetin dhe integritetin e këtij vendi me atë çka sot është sot lloji i ri i kërcënimit ndaj sovranitetit dhe integritetit. Jo duke treguar tanket dhe avionët që shkelin integritetin territorial, por duke miratuar dhe duke sulmuar hapësirën kibernetike për të paralizuar të gjitha funksionet shtetërore”, tha Rama.
Kryeministri shprehu falenderimet për Emiratet e Bashkuara Arabe, vend të cilin e quajti vëlla me Shqipërinë dhe që na ka ardhur në ndihmë në çdo rast. Rama e falenderoi ministrin e Jashtëm Abdullah Bin Zayed Al Nahyan dhe tha se Emiratet e Bashkuara arabe i masin miqësitë në bazë të vlerave dhe jo në varësi të madhësisë apo fuqisë së vendit.
“Siç e thashë Emiratet e Bashkuara Arabe janë një vend vëlla që kanë qenë të pranishëm, na kanë ardhur në ndihmë kur e kemi pasur më të nevojshme për të mos u ndjerë të vetëm.
“Jo vetëm nuk ndihemi vetëm, por ndihemi jashtë mase të respektuar. Zoti ju bekoftë që jeni kaq të pasur dhe kaq të përulur, që keni gjithçka dhe sërish silleni sikur asgjë nuk është më e rëndësishme se sa miqësia, që nuk i masni miqësitë në mbarë botën varësi të madhësisë së vendit, në varësi të fuqisë së tyre, fuqisë së tyre financiare, por në bazë të vlerave shumë herë e më të thella. Zoti ju bekoftë ju, zoti i bekoftë Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha Rama.
Ndërkohë ministri Abdullah Bin Zayed Al Nahyan theksoi se populli shqiptar u ka treguar shumë vendeve në botë se si mund të kalojë tragjeditë.
“Ju jeni një komb me shumë fat. Ia keni dalë në një kohë kaq të shkurtër të përballoni kaq shumë sfida. Jam i sigurt se kjo është falë dedikimit tuaj, të ekipit tuaj, të qytetarëve shqiptarë të cilët ia kanë dalë. E di që nuk është e lehtë, tingëllon e lehtë, por ia kanë dalë të kthejnë faqen. Keni kthyer faqen dhe u keni treguar shumë njerëzve në mbarë botën sesi vendet mund të kalojnë të tilla tragjedi. Ka shumë pak vende që e kanë bërë këtë gjë në mënyrë të njëpasnjëshme ndaj përgëzime”, u shpreh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan.
/a.r