Altin Merxhushi, autori i plagosjes së trefishtë në Laprakë të Viktor e Roxhersa Rrapollari dhe Masimo Sorvillo do të qëndrojë në burg. Kështu vendosi Gjykata e Tiranës gjatë një seance gjyqësore që zgjati rreth 30 minuta. Në gjyqin ndaj 40-vjeçarin prokuroria kërkoi arrest në burg që u konfirmua edhe nga gjykata. Por masë më të lehtë sigurie kërkoi avokatja mbrojtëse, e caktuar kryesisht nga shteti. Masa lehtësuese arrest në shtëpi nuk u pranua nga togat e zeza.
I pandehuri edhe në seancë mbajti të njëjtin qëndrim si para oficerëve të policisë, duke thënë se plagosjen e kreu në shenjë hakmarrjeje ndaj pronarit italian. Sipas tij, ai e kishte ndihmuar për të hapur punishten e përpunimit dhe tregtimit të produkteve të bulmetit, por më pas e kishte pushuar nga puna. Merxhushi shprehet se i kishte kërkuar paratë që i kishte borxh, por kjo kërkesë e tij ishte refuzuar nga italiani Sorvilo. Në sallën e gjyqit një tjetër pretendim ishte edhe fakti se të plagosurit e kanë provokuar të parët kur ai po kalonte përballë lokalit.
Plagosja e trefishtë në Laprakë u regjistrua mbrëmjen e të hënës, ndërsa autori u vetëdorëzua në polici, disa orë pas ngjarjes. Sherri në lokalin me qira të shtetasit italian, filloi kur Altin Merxhushi nisi të kërkojë llogari për largimin nga puna. Ai fillimisht plagosi Viktor Rrapollarin dhe më pas vajzën e tij Roxhersa. I treti që u godit me thikë ishte Massimo Sorvillo, i cili edhe pse me plagë mori makinën dhe bashkë me bashkëshorten dhe vjehrrin shkuan në Spitalin e Traumës.
/a.r