Brenda tavolinave të SPAK po bëhet një “mal” me dosje kundër ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta dhe vartësve të tyre. Çdo ditë që kalon, dalin në dritë fakte mbi aferat e tyre dhe paditë nuk kanë munguar. “Bomba” ka plasur sërish nga avokati i njohur Idajet Beqiri, i cili ka çuar në SPAK ditën e djeshme prova përvëluese që implikojnë Sali Berishën, ish-kryeministër të vendit, Ilir Metën, ish-ministër i Ekonomisë, Edmond Haxhinaston, ish-ministër i Energjitikës, Ridvan Boden, ish-ministër të Financave, Sokol Dervishajn, ish-zëvendës-ministër të Energjitikës, Engjëll Zeqo, ish-drejtor i Përgjithshëm i KESH. Në kallëzimin penal të avokatit Beqiri, denoncohet afera me shitjen e katër nga hidrocentralet e rëndësishme të vendit vetëm disa javë para humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Sipas fakteve që sjell Idajet Beqiri, në xhepin e tyre ka hyrë një shumë e konsiderueshme të hollash, të cilat i morën si “shpërblim” të kësaj afere korruptive nga përfituesit e këtyre privatizimeve që sipas fakteve që paraqet avokati, u bënë në kundërshtim flagrant me dispozitat ligjore dhe kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Zbardhet kallëzimi penal
Në kallëzimin penal që disponon gazeta “SOT”, thuhet se: “Ish ministri i Ekonomisë Ilir Meta është personi i parë i cili për arsye korruptive, kishte vendosur të nxjerrë në treg për shitje katër nga hidrocentralet e rëndësishme të vendit. Fjala është për shitjen e dy hidrocentraleve mbi lumin Mat, hidrocentralet e Ulzës dhe të Shkopetit, si dhe dy hidrocentralet e Bistricës në Jug të vendit. Më pas, Ish Kryeministri Sali Berisha, në rolin e drejtuesit të organizatës kriminale, ose të organizatorit në bashkëpunim, pasi ka korruptuar ish Ministrin e Energjitikës Edmond Haxhinasto dhe ish zëvëndësministrin e energjitikës Sokol Dervishaj dhe punonjësit e tjerë të varësisë së tyre në Ministrinë përkatëse, pasi të gjitha sondazhet prestigjioze e nxirrnin humbës të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit 2013, plotë 5 javë para këtyre zgjedhjeve, hartuan dhe miratuan 2 (dy) Vendime të Këshillit të Ministrave me anën e të cilave kryen veprat e rënda penale të korrupsionit përmes privatizimit të HEC-ve Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, përmes të cilave futën në xhepin e tyre një shumë të konsiderueshme të hollash, të cilat i morën si “shpërblim” të kësaj afere korruptive nga përfituesit e këtyre privatizimeve që u bënë në kundërshtim flagrant me dispozitat ligjore dhe kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në kallëzimin penal.
Shqiptarët humbin 10 milionë dollarë të ardhura për çdo vit
“Nxjerrja në tender e katër hidrocentraleve të Ulzës,Shkopetit dhe dy HEC-eve të Bistricës përbën një rast të paprecedentë, kur Qeveria shet tek privatët vepra ekzistuese energjetike të ndërtuara gjatë kohës së regjimit komunist.Të dhënat zyrtare të vetë Qeverisë që drejtonte ish Kryeministri Sali Berisha, ish Ministri i Ekonomisë Ilir Meta, ish ministri Edmond Haxhinasto, ish ministri Ridvan Bode, ish zëvëndësministri Sokol Dervishaj, si dhe të dhënat zyrtare të KESH që drejtonte Engjëll Zeqo tregojnë se në total Ulza, Shkopeti dhe dy hidrocentralet e Bistricës kanë një fuqi të instaluar prej rreth 77 megavat, e barabartë kjo me 5.3 për qind të fuqisë totale të KESH-it. Të katra këto hidrocentrale prodhonin 406 milionë kilovat orë energji në vit ose 5.5 për qind të të gjithë energjisë elektrike që prodhon Shqipëria. Nisur nga fakti se prodhimi i energjisë elektrike në vend përllogaritet që gjeneron mbi 200 milionë euro në vit, personat e kallëzuar penalisht Sali Berisha, Ilir Meta, Edmond Haxhinasto, Ridvan Bode, Sokol Dervishaj, Engjëll Zeqo etj, duke u dhënë privatëve në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës dhe ligjet përkatëse që rregullojnë këtë fushë të rëndësishme të ekonomisë së vendit, sikurse është energjitika, përmes shitjes së këtyre 4 hidrocentraleve, u pakësoi shqiptarëve dhe buxhetit të shtetit 10 milion dollarë të ardhura për çdo vit”, citohet në kallëzimin penal.
Taksapaguesëve shqiptarë u janë vjedhur 100 milionë dollarë
“Nga viti 2013 dhe deri më sot buxhetit të shtetit dhe taksapaguesëve shqiptarë u janë vjedhur 100 milion dollarë. Të dhënat zyrtare tregojnë se katër hidrocentralet e shitura në mënyrë abuzive prej ish Kryeministri Sali Berisha, ish ministrit Ilir Meta, ish ministri Edmond Haxhinasto, ish ministri Ridvan Bode, ish zëvëndësministri Sokol Dervishaj, si dhe ish Drejtorit të KESH Engjëll Zeqo, kanë normat më të larta të fitimit. Së bashku me HEC-in e Lanabregasit, që iu shit Drejtorisë së Ujësjellësit në vitin 2010, këto hidrocentrale dhanë rreth 6 për qind të të ardhurave totale te KESH, por ndërkohë për të njëjtin vit zunë vetëm 2.9 për qind të shpenzimeve. Ky tregues dëshmon se normat e fitimit tek HEC-et që këta të kallëzuar shitën abuzivisht ishin të paktën dy herë më të larta nga mesatarja e KESH, duke konfirmuar kështu leverdishmërinë e tyre të lartë”, thuhet në kallëzimin penal.
Provat që implikojnë Berishën dhe Metën
“Hidrocentrali i Shkopetit dhe dy Hidrocentralet e Bistricës u shitën pikërisht në momentin që sapo kishin marrë investime të mëdha nga fondet e buxhetit të shtetit dhe nga ndihmat e mëdha të Qeverisë së RF të Gjermanisë, çka u dha mundësinë privatëve që i përvetësuan këto pasuri kombëtare të mos bëjnë asnjë investim, por të merrnin të pastër 10 milion dollarët për çdo vit. Ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri Ilir Meta, ish-ministri Edmond Haxhinasto, ish ministri-Ridvan Bode, ish-zëvëndësministri Sokol Dervishaj, si dhe ish-Drejtorit të KESH Engjëll Zeqo, në bashkëpunim me disa ekspertë të tyre, përgatitën aferën korruptive duke ndryshuar fillimisht vendimet e Këshillit të Ministrave,si dhe duke nëpërkëmbur dhe anashkaluar Ligjin nr.8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”. Këta të kallëzuar i shitën katër HEC-et, me 132. 2 milion euro më pak. Provë e rëndësishme që vërteton aferën korruptive të të kallëzuarëve e kanë dhënë vet këta të kallëzuar, të cilët me vendimin Nr. 717, datë 20.10.2011 “Për transferimin e 100% të aksioneve të Shoqërisë HEC-i Lanabregas Sh.a, Tiranë, zotëruar nga METE, shitur Shoqërisë “Ujësjllës-kanalizime” Sh.a Tiranë”, e shitën 15 milion euro. Ndërsa katër HEC-et “Bistrica 1”, “Bistrica 2- sh.a”, “Ulëz” e “Shkopet” u shitën me 1.6 milion euro më pak se vlera e HEC-it të “Lanabregas”!”, thuhet në kallëzimin penal.
Si u ndryshuan 2 VKM?
“Ish Kryeministri Sali Berisha dhe organizata kriminale ose bashkëpunëtorët e tij, për të përmbysur kriteret ligjore të sakta dhe në mbrojtje të interesave të shtetit dhe të qytetarëve, si dhe për t’i shitur të 4 HEC-et te i përzgjedhuri i tyre që bëri korrupsionin aktiv mbi t’a, ndryshoi dy VKM, atë me nr. 152 dhe 153, datë 29/02/2012, parashikonin krahas të tjerave që investitori strategjik të kishte eksperiencë në menaxhim HEC-eve, për shkak se ky investitor i përzgjedhur prej Sali Berishës nuk e plotësonte këtë kriter nga më të rëndësishmit, hartuan dy VKM të tjera nr. 676 dhe 677, datë 03.10.2012, dhe formuluan nenin 4.1, i cili përligjte aferën e rëndë korruptive, duke qenë këto dy VKM në kundërshtim të hapur me Ligjin nr. 8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, në një kohë që këto dy VKM duhet të dilnin në bazë dhe për zbatimin e këtij Ligji.”
Shkeljet e rënda ligjore
Cilat janë shkeljet më të rënda ligjore që provojnë këtë korrupsion të rëndë dhe të dukshëm: U shmang zbatimi i Ligjit nr.8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”. Neni 4 i ligjit nr.8306, datë 14.3.1998 ka një paragraf ku shkruhet: “…Nuk do të konsiderohen pjesë të sektorëve me rëndësi të veçantë ndërmarrjet, shoqëritë tregtare ose pjesë të tyre, të cilat kanë ndërprerë veprimtarinë ekonomike dhe kanë rezultat financiar me humbje për mbi 3 vjet rresht”. Kjo pikë nuk lejonte shkëputjen nga KESH për objektet rentabël siç ishin katër hidrocentralet dhe as privatizimin e tyre ndryshe. Për të realizuar qëllimin korruptiv, ish Kryeministri Sali Berisha, ish ministri Ilir Meta, ish ministri Edmond Haxhinasto, ish ministri Ridvan Bode, ish zëvëndësministri Sokol Dervishaj, si dhe ish Drejtorit tëKESH Engjëll Zeqo, ndryshe nga sa parashikohej në kuadrin ligjor, deformuan kriteret mbi cilësimin e investitorit strategjik. Fillimisht shpallen kriteret mbi cilësimin e investitorit strategjik (Neni 4.1), VKM nr. 152 dhe VKM 153 dt 29/02/2012. Mbasi iu dështoi tenderi, bënë vendime qeverie (VKM nr. 676 dhe 677 dt 03/10/2012) për të ndryshuar kriteret mbi cilësimin e investitorit strategjik, duke shkelur haptazi ligjin 8306, datë 14.03.1998, edhe pse për ironi i referoheshin këtij ligji.
Dy shkelje të rënda dhe skema që përdori dyshja Berisha-Meta
“Mbasi është shpallur fituesi, është bërë VKM dhe Urdhri i Ministrisë së Financave për të lejuar zbritjen nga vlera e ofertës detyrimet që DPT i ka kompanisë fituese për TVSH e pa rimbursuar!. Kjo nuk ka qenë parashikuar në kushtet e Dokumenteve Standarde të Tenderit (DST). Janë inkuadruar dy shkelje të rënda. Së pari, Neni 9 i Ligjit 8306 përcakton: “Në çdo rast paketa që do të privatizohet me pjesëmarrjen e investitorit strategjik, do të paguhet me para.” Duke kompensuar përmes TVSH-së pa rimbursuar, është shkelur neni 9 i këtij ligji. Kuptohet, gjithçka e targetuar me qëllim favorizimi! Së dyti, nëse përjashtimi nga Ligji 8306 parashikohej në DST, në garë mund të merrnin pjese edhe kompani të tjera shqiptare..!.. Qartazi është bërë favorizim dhe shkelje e barazisë në tendera për të dalë fitues Kompania “Kurum”, e përzgjedhur prej Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Veprat penale
“Sa më sipër, vlerësoj dhe ju kërkojmë të regjistrohet procedimi penal dhe të kryhen veprimet e domosdoshme hetimore ndaj të kallëzuarëve Sali Berisha, Ilir Meta, Edmond Haxhinasto, Ridvan Bode, Sokol Dervishaj, Engjëll Zeqo etj, për dyshimin e arsyeshëm se kanë bërë privatizimin e 4 HEC-eve Bistricë 1 e 2 dhe Ulëz e Shkopet përmes korrupsionit, në kuadrin e një organizate kriminale, kanë kryer veprat penale të : “Krijimi i bandës së armatosur dhe Organizatës kriminale”, parashikuar nga neni 333 i Kodit Penal; “Kryerja e krimeve nga banda e armatosur dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal; “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 i K.Penal; “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i K.Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a i K.Penal; “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 i K.Penal, Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Në ndihmë të provueshmërisë së akuzave, SPAK të thërres në cilësinë e dëshmitarëve okularë, që janë njëkohësisht ekspertë të nivelit të lartë, zotrinjtë Koço Broka, ish Kryetar i Komisionit të Konkurencës si dhe Pajtim Bello, ish Zëvëndësministër i Energjitikës”, thuhet në kallëzimin penal të avokatit Idajet Beqiri.
Avokati: Ja akuzat që rëndojnë mbi bandën e armatosur të Berishës dhe Metës
Në kallëzimin penal drejtuar SPAK, avokati Beqiri kërkon fillimin e procedimit penal dhe kryerjen e hetimeve, për kryerjen e veprave penale të : “Krijimi i bandës së armatosur dhe Organizatës kriminale”, parashikuar nga neni 333 i Kodit Penal; “Kryerja e krimeve nga banda e armatosur dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal; “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 i K.Penal; “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i K.Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a i K.Penal; “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 i K.Penal, Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, parashikuar nga neni 258 I Kodit Penal. Unë, kallëzuesi Idajet Beqiri, bazuar në nenin 283 të Kodit Procedures Penale, depozitoj këtë kallëzim penal ndaj shtetasve të sipërpërmendur për kryerjen e veprave penale respektive, pasi jam vënë në dijeni si qytetar dhe si avokat, si dhe pasi më janë afruar të dhëna të cilat ngrenë dyshime të arsyeshme se nga ana e Sali Berishës, Edmond Haxhinastos, Sokol Dervishaj dhe personave të tjerë në rolin e ndihmësit dhe të përfituesit janë konsumuar veprat penale të rënda të cituara në objektin e kallëzimit. Në bazë të fakteve të konstatuara, dokumente, akte, pretendoj se duhet të hetohen në mënyrë të thellë e të gjithanshme, pasi ngarkojnë me përgjegjësi të rëndë ligjore të natyrës penale personat që i kanë kryer dhe që unë i kallëzoj, të përfshirë në veprime të rënda të paligjshme, dhe që kanë sjellë pasoja shumë të rënda për ekonominë e Shqipërisë, për buxhetin e shtetit, për financat e shtetasve shqiptarëve, duke i pakësuar ndjeshëm ato. Bazuar në faktin se personat që kallëzoj kanë patur funksionet më të larta në shtetin shqiptar dhe pranë tyre dhe në shërbim të tyre, qoftë nga pikëpamja e ushtrimit të detyrave shtetërore, ose e të qenurit të tyre pjesë e organizatës kriminale, çka do të hetohen nga organi juaj, si dhe për shkak se në organizatën kriminale, ka dyshime të arsyeshme se si ndihmës të tyre janë të përfshirë edhe ish këshilltarë dhe punonjës të tjerë të tyre, por edhe gazetarë, analistë etj, për të mos prishur provat, për të mos i fshehur dhe asgjesuar ato, për të mos ndikuar te dëshmitarët okularë, të aplikohen ndaj të kallëzuarve masa sigurimi personal sipas parashikimeve të neneve 228, 237 dhe 238 të Kodit Penal.
Gazeta SOT