Europa vijon përpjekjet për të bindur kinën të ndërmarrë hapa për ti dhënë fund luftës në Ukrainë.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe shefja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, po zhvillojnë një vizitë në Pekin, ku do të takohen me presidentin kinez Shi Xhinpin.
Më herët, vendin e vizitoi kancelari Olaf Scholz dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez. Macron dhe Von Der Leyen pritet të përcjellin një mesazh uniteti, edhe pse Kina përpiqet të shfrytëzojë krisjet e mundshme ne aleancën europiane.
Synim i vizitës është gjithashtu përmirësimi i marrëdhënieve gjithnjë e më të tensionuara tregtare mes Bashkimit Europian dhe Kinës, partneri më i madh tregtar i tij. Sa i përket çështjes së luftës në Ukrainë, me përpjekjet e tij për të angazhuar Valdimir Putin, presidenti francez pritet të luajë rolin e policit të mirë.
Një zëdhënës i pallatit të Elizesë tha për gazetarët se Macron shihte pika takimi te propozimi kinez për fundin e luftës. Sakaq, disa e kanë cilësuar Von Der Leyen si “policen e keqe” nga Brukseli, për shkak të marrëdhënies së fortë me presidentin Biden dhe mbështetjes se zëshme për qëndrimin e NATO-s.
/a.r